Leonard e George te La Clippers

08 korrik 2019 | 11:15

Vazhdojnë lëvizjet e bujshme në merkaton e transferimeve në kampionatin më spektakolar të basketbollit në botë, NBA.

Sipas rrjetit televiziv ESPN, Kawhi Leonard(Koai Lenard), MVP i finaleve të kampionatit është larguar nga skuadra kampione e Toronto Raptors për t’u transferuar në Kaliforni te Los Angeles Clippers.

Gjithnjë sipas ESPN, Leonard refuzoi ftesën e LeBron James për të kaluar te Lakers duke zgjedhur skuadrën tjetër të Los Angelesit, Clippers me të cilën firmosi një kontratë katërvjeçare me një pagë prej 142 milionë dollarësh. Por Los Angeles Clippers nuk u ndal këtu. Skuadra e Doc Rivers siguroi shërbimin edhe të një tjetri lojtar të rëndësishëm siç është Paul George që deri në fund të këtij sezoni aktivizohej me Oklahoma City Thunder.

Mësohet se ishte pikërisht Leonard ai që e bindi George ta pranojë kalimin te skuadra kaliforniane. Me këto lëvizje, Kalifornia bëhet gjithnjë e më shumë epiqendra e basketbollit botëror. Ndërsa Golden State Warriors është kthyer në San Francisco, LA Lakers e Clippers po kthehen në dy skuadra që do ta synojnë menjëherë titullin kampion të NBA-së teksa kanë krijuar dy binome të frikshme Leonard-George nga njëra anë dhe Lebron James e Anthony Davis në anën tjetër.

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vedat Muriqi me kalimin nga Rizespori te gjiganti turk Fenerbahçe…