LIBE pritet të ketë raport pozitiv për liberalizimin e vizave

29 gusht 2018 | 16:01

Njohësi i integrimeve evropiane, Vigan Qorrolli, është shprehur i bindur se edhe Komiteti për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme (LIBE) i Parlamentit Evropian, që do të mblidhet sot (e mërkurë), do të votojë pro liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka deklaruar se në procesin e vendimmarrjes së BE-së për këtë çështje do të ngrihet edhe çështja e ish-prokurorit special Elez Blakaj. Sipas tij, në këtë proces do të ketë shtete që do të diskutojnë për dilemat rreth ndërhyrjes së politikës në drejtësi. Ai ka bërë me dije se BE-ja do t’i liberalizojë vizat jo më herët se në pranverën e vitit 2019. Në këtë intervistë, Qorrolli ka dhënë kritika për sistemin e drejtësisë që, sipas tij, nuk po punohet sa duhet për luftimin e krimit dhe korrupsionit.

“Epoka e re”: Z. Qorrolli, pas dhënies së rekomandimit pozitiv për vizat nga Komisioni Evropian (KE,) më 29 gusht, procesi për vizat e Kosovës do të kalojë në komitetin LIBE të Parlamentit Evropian. Si pritni të shkojë ky diskutim?
Qorrolli: Duke pasur parasysh propozimin pozitiv të Komisionit Evropian për Parlamentin dhe Këshillin muaj më parë, pritet që edhe komiteti LIBE të mërkurën të ketë raport pozitiv për Kosovën. Duhet thënë që në analogji me sistemin parlamentar të Kosovës, ky komitet është komision parlamentar. Komiteti LIBE edhe në vitin 2016 kishte rekomanduar pozitivisht me 25 vota kundrejt 24 kundër dhe 2 abstenimeve. Fatmirësisht, edhe në këtë seancë shumica e anëtarëve të këtij komiteti vijnë  nga shtetet që e njohin Republikën e Kosovës brenda BE-së. Puna kolosale e raportueses për Kosovën në PE, znj. Tanja Fajon, duhet përshëndetur dhe besoj se në kuadër të këtij Komiteti LIBE (Komiteti për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme të PE-së) të ketë diskutime për dhe kundër, por që në fund votimi të jetë pozitiv. Por, mos të krijojmë iluzion që liberalizimi do të ndodhë qysh sot, sepse kjo është vetëm njëra fazë prej disa të tillave të vendimmarrjes së komplikuar të institucioneve të BE-së. Pas kësaj, topi i gjuhet sërish Komisionit Evropian për amendamente të mundshme, pastaj edhe Këshillit të BE-së, dhe vendimi final u takon të dy institucioneve në bashkëvendimmarrje, pra Këshillit të BE-së dhe Komisionit Evropian. Dua të them se institucioni kyç që do ta bëjë liberalizimin për kosovarët është Këshilli i BE-së pasi që ministrat e punëve të brendshme dhe të drejtësisë së vendeve anëtare do ta kenë fjalën kryesore dhe do ta japin votën e tyre finale. Kjo procedurë do kohën e vet dhe nëse gjithçka shkon sipas planit, vendimmarrja do të duhej të përfundonte para fundit të vitit 2018.

“Epoka e re”: Meqenëse rekomandimi i KE-së ka qenë pa ndonjë kushtëzim, a është e arsyeshme paraqitja e ndonjë pengese në këtë drejtim?
Qorrolli: Pengesat do të vijnë natyrshëm sikurse nga deputetët anëtarë të LIBE-s që janë nga pesë shtetet mosnjohëse të Kosovës, pra deputetët e PE-së nga Spanja, Rumania, Sllovakia, Greqia dhe Qipro, por edhe ndonjë skeptik tjetër që mund ta lidhë procesin e liberalizimit të vizave me fatin e pasigurt të dialogut politik midis Kosovës dhe Serbisë, por edhe me problemet e brendshme të Kosovës në fushën e drejtësisë. Pra, përgjithësisht në atë që njihet si sundim i së drejtës, ku dihet botërisht se Kosova çalon jashtëzakonisht shumë në këtë drejtim dhe ka ndërhyrje të pushteteve të tjera në sistemin gjyqësor dhe atë prokurorial. Fatkeqësisht, nuk ka barazi të pushteteve në Kosovë, meqë politika qëndron mbi ligjin, kjo natyrshëm mund të jetë një sfidë e pakapërcyeshme për disa konservatorë brenda institucioneve të BE-së. Në secilin raport të progresit në dhjetë vjetët e fundit, veçanërisht në raport me Kosovën, BE-ja e thotë qartë këtë gjë: sistemi i drejtësisë në Kosovë nuk është i pavarur, por është i ndikuar nga politika dhe vuan nga paaftësia për t’i ndërtuar institucionet e veta të pavarura nga influenca politike.

“Epoka e re”: A mund të ndikojë në këtë proces rasti i dorëheqjes së ish-prokurorit Elez Blakaj, meqenëse edhe kryeministri e ka shprehur këtë shqetësim?
Qorrolli: Ngjarja me ish-prokurorin e Prokurorisë Speciale, Elez Blakaj, sigurisht e ka tronditur sistemin e brishtë të drejtësisë në vend dhe e ka rritur pasigurinë e qytetarëve të Republikës. Abuzimi i politikës dhe politikanëve me gjyqtarë dhe prokurorë ka qenë i ditur, por tashmë është vërtetuar edhe me prova të pakundërshtueshme, siç e thotë edhe BE-ja, se politika i ka futur thellë duart në sistemin e drejtësisë. Një kryeministri në demokraci dhe në sistemin e pushteteve të ndara sigurisht se nuk i takon të diskutojë për çështje që mund të duken në shikim të parë, edhe si procedurale, siç është akti i dorëheqjes nga sistemi prokurorial i një prokurori. Por meqenëse ish-prokurori Blakaj ka ngritur disa pretendime serioze për ndërhyrje të forta politike në sistem, atëherë unë pres që në vendimmarrjen brenda BE-së në çështjen e liberalizimit të vizave të ketë edhe diskutime mbi këtë gjë dhe mund të ketë shtete që do t’i ngrehin këto dilema.  Raporti i Qeverisë me prokurorinë dhe gjyqësorin duhet të jetë i pastër dhe të zhvillohet mbi premisat e demokracisë. Pra, një raport i të barabartëve dhe jo raport serviliteti, nënshtrimi dhe ndikimi. Gjithashtu, pres që disa shtete të BE-së ta thonë shumë zëshëm tendencën e politikës për kontroll të drejtësisë dhe kjo mund t’i shtyjë edhe të votojnë kundër liberalizimit, nëse eventualisht e shohin si rrezik tendencën për sundim të drejtësisë nga politikanët e fortë të Kosovës, që shpesh qëndrojnë mbi ligjin. Fatkeqësisht, në Kosovë për t’u emëruar në krye të institucioneve të drejtësisë duhet të ekzistojë një lidhje e fortë politike. Megjithëse në sistem ka burra dhe gra të ndershëm dhe të aftë që çdo ditë luftojnë me pasiguri dhe me intriga, kurse krerët e institucioneve të drejtësisë shquhen për lidhje të forta me politikanë  të caktuar.

“Epoka e re”: Nëse kjo ndikon në shtyrjen e këtij procesi, kush duhet ta marrë përgjegjësinë? Qorrolli: Përgjegjësinë duhet ta marrë ai person ose ata persona të cilët bëhen pengesë për liberalizim të vizave dhe ai ose ata nuk mund të jetë askush tjetër përveç politikanëve. Përgjegjësia në radhë të parë i takon Qeverisë dhe Kuvendit si dy motorët e shtetit të Kosovës. Nëse ata vazhdojnë të mos i plotësojnë kushtet e dhëna nga BE-ja për liberalizim, në qoftë se politikanë të caktuar e ndikojnë sistemin e pavarur të drejtësisë, atëherë BE-ja nuk do ta falë këtë gjë dhe do ta vonojë liberalizimin. Një e metë thelbësore dhe e pashmangshme në sistemin tonë, siç tashmë dihet, është fakti i mosluftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit nga ana e sistemit prokurorial dhe gjyqësor. Pavarësisht prej shenjëstrimit të disa rasteve, ato në shkencën juridike njihen si raste të papërfunduara, meqenëse çdo njeri i akuzuar konsiderohet i pafajshëm. Pra, ekziston koncepti i të drejtave të njeriut, që njihet si prezumim i pafajësisë. Me një fjalë, duhet të ketë aktgjykime të plotfuqishme për ta dënuar krimin dhe korrupsionin, për çka nuk mjafton vetëm ngritja e aktakuzave. Një kritikë për sistemin gjyqësor që nuk i shteron mundësitë e veta për t’ua dhënë qytetarëve të Kosovës liberalizimin më shpejt. Pra, është një luftim sipërfaqësor për momentin i krimit dhe jo një luftë rrënjësore për çka do të duartrokitej nga publiku i Kosovës. Në gjendjen të cilën jemi, heronjtë e Kosovës do të duhej të ishin gjyqtarët dhe prokurorët e saj, dhe jo politikanët avangardë mbi ligjin.

“Epoka e re”: Po në rast se nuk do të kemi ndonjë shtyrje, kur mund të lëvizin lirshëm qytetarët e Kosovës?
Qorrolli: Shtyrje gjithsesi do të këtë, dhe me një optimizëm të matur do të thosha se me gjithë vonesat dhe rropatjet që po ua bënë padrejtësisht kosovarëve, BE-ja do t’i liberalizojë vizat jo më herët se në pranverë të vitit 2019. Të gjitha parashikimet çojnë nga viti 2019, meqenëse BE-ja në këtë kohë është e orientuar e tëra nga normalizimi i raporteve Kosovë – Serbi, përderisa liberalizimin e vizave, për fat të keq, nuk e ka ‘top prioritet’. Pas marrëveshjes Greqi – Maqedoni për ndryshimin e emrit kushtetues të Maqedonisë, kërkesa do të jetë arritja e marrëveshjes ligjërisht detyruese në mes të Kosovës dhe Serbisë, brenda këtij viti, dhe liberalizimi i vizave do të mund të ndodhte brenda muajve të parë të vitit 2019. Edhe për çështjen e kufijve BE-ja po i toleron palët që të flasin për çdo gjë dhe të mos kenë tabu mes vete, por me ndërhyrjen e fuqishme të shteteve gardiane të demokracisë në botë, SHBA-së dhe Gjermanisë, marrëveshje për ndërrim territoresh në Ballkan nuk do të ketë. Vetëm pasi që institucionet e BE-së ta nxjerrin vendimin final, procedurat që zgjasin deri në ditën e udhëtimit të lirshëm për në BE për qytetarët tanë, do të zgjasin nga tre deri në gjashtë muaj.  Ky është thjesht parashikim pragmatik i bazuar në procedurat e institucioneve të BE-së dhe praktikës së deritanishme të liberalizimit me vendet e tjera, ndërkaq çdo optimizëm tjetër që vizat do të hiqen më shpejt, është utopi.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është mbajtur takimi i Task-Forcës për pastrimin e Kosovës. Kryeministri…