Libër kujtese në 50-vjetorin e daljes së gazetës së studentëve të Kosovës “Bota e re”

07 tetor 2018 | 14:40

Nga Faruk Tasholli

Të nderuar miq, kolegë e bashkëpunëtorë të dikurshëm. Duke shfletuar disa nga kompletet e gazetës “Bota e re” ndër vite, më erdhi ideja që të bëhet një monografi për këtë gazetë, e cila sprovoi shumë pena të gazetarisë dhe publicistikës në Kosovë. Por kjo ide më shkrepi shumë vonë dhe për të mos shkuar krejt huq, ndërrova mendje dhe zgjodha tjetër formë. Përmes biografive të punës në gazetë, me ndihmën e kolegëve, që nga numri i parë ta bëj një përmbledhje kujtimesh ku rrëfimet e tyre do t’i shfaqin kryeredaktorët, redaktorët, gazetarët dhe pse jo, edhe bashkëpunëtorët e jashtëm. Ta bëja biografinë e gazetës, më duhej një punë e madhe dhe për të hulumtuar gjatë në biblioteka, që fizikisht nuk mund ta arrij pasi unë jetoj jashtë Kosovës dhe këtu vij rrallë e shkurtë. Prandaj zgjodha formën tjetër, të rrëfimeve për gazetën që secili të hedh dritë me kujtimet dhe me vlerësimet për të. Zgjedhja dhe forma e shkrimeve le të jetë e lirë, për secilin në mënyrën e vet, por unë do t’i parashtroj disa teza sa për orientim, të cilat do të plotësohen edhe nga ju:

Cilat ishin rrethanat shoqërore e politike në kohën kur lindi gazeta?

Cila ishte atmosfera në Kosovë kur ju u inkuadruat në gazetë dhe çka ndikoi që të jeni pjesë e gazetës?

Sa ju dha në planin profesional shtysë gazeta që të vazhdoni deri në fund punën në këtë profesion?

Çka ishte dhe çka mbeti për ju gazeta “Bota e re”?

Cili ishte ndikimi i gazetës në informim, në pasqyrimin e gjendjes shoqërore, kulturore, arsimore dhe intelektuale të kohës dhe fuqia e saj në promovimin e vlerave shkencore dhe të krijimtarisë së përgjithshme kulturore dhe krijuese?

Sa e çmoni rolin e gazetës në kohën dhe hapësirën kur punuat ju në të?

A keni për të veçuar ndonjë mbresë të thellë nga puna e juaj si gazetarë në këtë gazetë?

Besoj me pak fjalë, e kuptuat qëllimin tim, të cilin mund ta plotësoni me shkrimet tuaja, natyrisht duke shtuar edhe tezat tuaja si qasje që në këtë moment mua nuk më kujtohet ta parashtroj. Çdo shkrim i juaj do të më japë mundësi që ta kanalizoj qasjen time gjatë përgatitjes.

Rendi do të ishte që libri i këtij lloji të botohej sivjet, pikërisht në 50-vjetorin e daljes së “Botës”, por koha nuk premton se edhe mua më erdhi vonë ideja. Por kjo punë shpresoj të bëhet vitin tjetër, natyrisht me ndihmën e miqve dhe ndonjë miku afarist që unë nuk i kam të paktë. Afatin e fundit dua ta lë deri më 30 nëntor 2018 për dorëzimin e shkrimeve.

Kemi fat se shumica nga ne jemi gjallë dhe besoj kemi çka të themi. Ju lutem që shkrimet të jenë sa më të shkurtra dhe sa më të dendura për shkak të volumit që mund të bëhet në përfshirje. Fotografitë apo diçka tjetër që keni nga ajo kohë të mi dërgoni në email: [email protected], ose në llogarinë time në “Fb” (në inbox).
Çdo vërejtje e juaja dhe sugjerim do të jetë i mirëseardhur për mua dhe për realizimin e këtij libri të përbashkët.

Prishtinë, 5 tetor 2018

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka…