Liderët e Ballkanit Perëndimor me marrëveshje për njohjen e letërnjoftimeve dhe diplomave

03 nëntor 2022 | 13:20

Liderët e Kosovës, Shqipërisë, Bosnjë e Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, nënshkruan tri marrëveshje për njohjen reciproke të letërnjoftimeve, të diplomave universitare dhe të kualifikimeve profesionale në kuadër të samitit të Procesit të Berlinit që po mbahet më 3 nëntor.

Si rrjedhojë e njohjes reciproke të letërnjoftimeve mes Kosovës dhe Bosnjës e Hercegovinës qytetarët do të mund të udhëtojnë pa viza.

Në këtë samit po marrin pjesë liderët e vendeve të BE-së dhe ata të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor: kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ai i Shqipërisë, Edi Rama, i Bosnjë e Hercegovinës, Zoran Tegeltija, kryeministri në largim i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ai i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq – si dhe ata të BE-së.

Nikoqiri i këtij samiti, kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se nënshkrimi i tri marrëveshjeve të enjten është një hap i rëndësishëm drejt anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

“Sot jemi të bindur se procesi i Berlinit, jo vetëm që do të ndihmojë për shfrytëzimin e potencialit të plotë të bashkëpunimit rajonal, por do ta përshpejtojë anëtarësimin në BE të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor”, tha Scholz gjatë fjalimit hapës në këtë samit, i cili ka mbledhur liderë të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ata të BE-së.

Ai shtoi se realizimi i dëshirës së këtyre vendeve për të hyrë në BE “është në interesin tonë”, ndërsa gjithashtu kërkoi përshpejtimin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Është koha të tejkalohen konfliktet rajonale që kanë vazhduar shumë gjatë, konflikte që ju ndajnë juve dhe i mbajnë vendet tuaja prapa në rrugën evropiane. Procesi i normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë në veçanti duhet të përshpejtohet, kështu që ejani ta bëjmë këtë”, tha Scholz.

Përveç bashkëpunimit rajonal, Scholz theksoi se “sfidat nga migrimi i parregullt, korrupsioni dhe krimi i organizuar janë çështje kyçe për të gjithë ne”, ndërsa shtoi se vendet ballkanike duhet t’i harmonizojnë politikat e vizave me BE-në.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Prizrenit ka nënshkruar memorandum mirëkuptimi me Entitetin e…