Daka: Ligji dhe aktgjykimi i Kushtetueses ua ndalon kandidimin për deputetë, jo unë

21 janar 2021 | 12:19

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, ka thënë se akuzat e partive politike ndaj saj dhe ndaj institucionit që udhëheqë, kanë për qëllim që të pamundësojnë zbatimin e Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi.

Në një konferencë për media të enjten, Daka ka pohuar se kërcënimet publike ndaj saj dhe “shqetësimet që po i përjeton familja ime janë të paprecedentë dhe të rrezikshëm”.

Ajo nuk tregoi se nga cila parti ka pranuar kërcënime dhe nuk pranoi pyetje lidhur me atë se kush po e kërcënon.

Këto deklarata të Dakës vijnë vetëm një ditë pasi KQZ-ja njoftoi se ka marrë përgjigje nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës ku thuhej se 47 kandidatë për deputetë në zgjedhjet e 14 shkurtit, nuk janë përputhje me nenin 29 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.

Në bazë të këtij ligji kandidat për deputet nuk mund të jetë një person, i cili është shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vjetët e fundit.

Daka ka thënë se ajo do ta zbatojë këtë ligj dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të dhjetorit të vitit të kaluar për rastin e deputetit Etem Arifi.

“Të gjithë kandidatët që dje e kanë parë veten në listën e Këshillit Gjyqësor si persona që nuk plotësojnë kriterin për t’u certifikuar si kandidatë për deputetë, do t’u them vetëm dy fjalë, shkurt, shqip dhe qartë: është ligji, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese që ua pamundëson kandidimin dhe jo unë”, tha Daka, duke shtuar se çdokush që mendon se i është bërë e padrejtë mund të paraqesë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa si dhe në Gjykatën Supreme.

“Është bërë e lehtë për burrat e politikës që të sulmojnë një gjyqtare, një grua dhe një nënë që nuk e mbron dhe nuk e mbështetë asnjë parti politike dhe që asnjëherë nuk ka qenë pjesë e partive politike”, ka deklaruar kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rei Manaj duket shumë pranë rikthimit në Itali. Për sulmuesin…