Ligji për Qeverinë në mars, pritet të zvogëlohet numri i ministrive

15 janar 2019 | 14:53

Në fund të marsit të këtij viti Qeveria e Kosovës pritet të bëhet me ligj.

Si rezultat i këtij ligji pritet të bëhet edhe zvogëlimi i numrit të ministrive në Qeverinë e Kosovës. Kështu ka bërë me dije kryesuesi i Komisionit për hartimin e Projektligjit për Qeverinë, Besnik Tahiri.

Pas takimit të grupit punues të këtij komisioni, Tahiri ka njoftuar se kanë bërë prezantimin e të gjeturave nga studimet të organizatave të ndryshme jo-qeveritare, diskutimi mbi të gjeturat e tyre, dhe hapat e ardhshëm për procesin e hartimit të projektligjit për Qeverinë.

Tahiri ka theksuar se vëmendje të veçantë në këtë takim kanë marrë dy tema, ajo e kufizimit të numrit të ministrive si dhe aspekti krahasimor të shteteve të rajonit.

“Ne kemi ligj për gjithçka, por nuk kemi ligj për Qeveri. Në këtë kuptim i diskutuam dy çështje kryesore: në detaje e diskutuam aspektin e kufizimit të numrit të ministrive…e trajtuam aspektin krahasimor të shteteve të rajonit, i prezantuar nga Instituti për Demokraci dhe Zhvillim. Qeveria e Kosovës e ka marrë me seriozitet të madh hartimin dhe miratimin e këtij ligji deri në fund të marsit”, ka thënë Tahiri.

Ai ka bërë me dije se Qeveria do ta vendos këtë ligj me konsultim paraprak me shoqërinë civile. “Deri më tani përbërja e qeverive të Kosovës ka qenë me numër të madh të ministrive e zëvendësministrave, duke qenë ndër më të mëdhatë në Evropë”, është shprehur Tahiri.

Qeveria aktuale e drejtuar nga Haradinaj ka 21 ministri dhe mbi 70 zëvendësministra. /Ksp/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova nuk…