Ligji për zgjedhjet dërgohet në Kushtetuese

17 janar 2024 | 16:23

Instituti i Avokatit të Popullit ka dërguar në Kushtetuese kërkesën për vlerësim të Ligjit për Zgjedhjet e përgjithshme.

Avokati i Popullit ka bërë me dije se dispozita e kontestuar është neni 28 i ligjit që ka përcaktuar se “në listën e kandidatëve të secilit subjekt politik së paku 30 për qind janë meshkuj dhe së paku 30 për qind janë femra, me nga një kandidat të secilës gjini përfshirë së paku njëherë në secilin grup prej tre kandidatëve, e që numërohet nga kandidati i parë në listë”.

Lidhur me rregullimin e tillë të përfaqësimit gjinor në listat e kandidatëve, Avokati i Popullit ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të vlerësojë nëse dispozita e kontestuar është në përputhshmëri me nenin 7 [Vlerat] të Kushtetutës; nëse dispozita e kontestuar është në përputhshmëri me nenin 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës; dhe nëse dispozita e kontestuar është në përputhshmëri me nenin 45, paragrafi 1 [Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes] të Kushtetutës.

Kërkesa është parashtruar pasi Avokati i Popullit është i bindur se përcaktimi i kuotës “së paku 30 për qind” për secilën gjini e përligj trajtimin e pabarabartë të grave.

“Një rregullim i tillë ligjor ka dëshmuar në praktikë se gratë në vazhdimësi mbeten të nën-përfaqësuara në listat zgjedhore, duke u përmbushur vetëm minimumi i përcaktuar me ligj, e që ky minimum nuk pasqyron barazi për gratë”, ka njoftuar Avokati i Popullit.

Avokati i Popullit ka vlerësuar se vendosja me ligj e kuotës “së paku 30 për qind” për secilën gjini paraqet një lloj paragjykimi të pajustifikuar, duke marrë parasysh se përqindja gjinore në mes të gjinive është pothuajse 50:50, me dallime të vogla dhe çdo kuotë minimale e përfaqësimit nën 50 për qind nuk është në përputhje me qëllimin legjitim që ka ndjek ligji.

Për më tepër, Avokati i Popullit, ka tërhequr vëmendjen se shumica e listave të subjekteve politike që garuan në zgjedhjet e përgjithshme të 14 shkurtit 2021, kanë qenë të përfaqësuara me 30 për qind femra dhe 70 për qind  meshkuj, ku edhe atëherë kriter ligjor për kuotën gjinore ka qenë që në listat e subjekteve politike secila gjini të jetë e përfaqësuar me jo më pak se 30 për qind.

Në praktikë vërehet se femrat kanë qenë të përfaqësuara me 30 për qind, ndërsa meshkujt me 70 për qind.

Ndërsa është vërejtur se pothuajse në të gjitha listat me kandidatët e subjekteve politike çdo i treti kandidat ka qenë grua, ndërsa dy kandidatët e parë kanë qenë burra, ka theksuar Avokati i Popullit.

Avokati i Popullit ka sqaruar se nuk do të kërkojë masën e përkohshme, duke e pasur parasysh se një përcaktim identik është edhe në ligjin e shfuqizuar, e që në praktikë nuk do të reflektonte ndonjë ndryshim substancial.

Ndryshe, Ligji për Zgjedhjet e përgjithshme është miratuar në Kuvendin e Kosovës më 8 qershor 2023.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Jordan Henderson prej disa kohësh vendosi që t’i jepte fund…