Ligjshmëria nuk është qëllimi i Kurtit, por përbaltja e UÇK-së

05 maj 2021 | 10:56

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka kritikuar Qeverinë Kurti për pagesën e energjisë elektrike për serbët në veri të vendit, në vlerë prej 11 milionë euro.

Tahiri përmes një postimi në “Facebook”, ka shkruar se Albin Kurti dhe Vetëvendosja kanë qenë të ashpër kudo që iu është dhënë rasti, ndaj pagesës së rrymës së papaguar të qytetarëve serbë, e sot me një lehtësi të jashtëzakonshme e me arsyetime të pabaza, qeveria e tij nuk e sheh si problem pagesën prej 11 milionë eurosh të faturave të papaguara.

Ai madje ka thënë se kjo qeveri e ka qëllim përbaltjen e UÇK-së, derisa amniston makro zhvatjen e vërtetë të parave të taksapaguesve kosovarë.

“Nëse ka diçka të paligjshme e të pavend, është shpenzimi i 11 milionë eurove për pagesën e rrymës së shpenzuar nga serbët në veri të vendit, sepse për të jo vetëm që nuk ka ligj, por ka edhe vendim gjyqësor që e shpallë të jashtëligjshme. Por ligjshmëria nuk është qëllimi i Kurtit. Përbaltja e UÇK-së, po”, ka shkruar Tahiri.

Postimi i plotë i Tahirit:

Sa ishte opozitë, Albin Kurti dhe Vetëvendosja kanë qenë të ashpër kudo që iu është dhënë rasti, ndaj pagesës së rrymës së papaguar të qytetarëve serbë.

Sot, me një lehtësi të jashtëzakonshme e me arsyetime të pabaza, qeveria e tij nuk e sheh si problem pagesën prej 11 milion eurosh të faturave të papaguara të serbëve në veri të vendit. Në vend të kësaj, ajo e bën temë shpenzimin e 1 milion eurove për mbrojtjen e ish luftëtarëve të lirisë në procesin gjyqësor në Hagë.

Pra, 11 milion euro që qytetarët nuk e kanë për obligim t’i paguajnë nga taksat e veta, qeveria po i paguan pa bërë zhurmë dhe kjo nuk qenka kurrfarë problemi, ndërsa 1 milion euro që Kosova i ka marrë si obligim me Ligjin për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të të Akuzuarve nga Dhomat e Specializuara, u dashka të bëhen temë e problem.

Nëse ka diçka të paligjshme e të pavend, është shpenzimi i 11 milion eurove për pagesën e rrymës së shpenzuar nga serbët në veri të vendit, sepse për të jo vetëm që nuk ka ligj, por ka edhe vendim gjyqësor që e shpallë të jashtëligjshme. Por ligjshmëria nuk është qëllimi i Kurtit. Përbaltja e UÇK-së, po.

Kjo është logjika e mbrapshte e kësaj qeverie që përdhosë dinjitetin e luftës sonë për çlirim, përderisa amniston makro zhvatjen e vërtetë të parave të taksapaguesve kosovarë.

Nuk dua dhe nuk kam dashur të besoj se qeveria e vendit tim, do të vihej në linjën e njëjtë me ata që duan ta rishkruajnë historinë e lavdishme të UÇK-së. Fatkeqësisht ajo po e dëshmon këtë me këmbëngulësi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Administrata Tatimore e Kosovës njofton të gjithë tatimpaguesit se në…