Limaj: Do të jem kryeministër reformator që lë gjurmë dhe që nuk kalkulon në vota

22 shtator 2019 | 14:57

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, njëheresh kandidat për kryeministër nga koalicioni NISMA-AKR-PD, Fatimr Limaj, ka thënë se Kosovës i duhet një kryeministër që nuk bën veprime duke kalkuluar në vota dhe se nëse merr besimin e qytetarëve, ai do të jetë kryeministër reformator që len gjurmë për vendin dhe që nuk kalkulon në vota partia.

Kështu ka thënë Limaj në një përgjigje për “Kosovapress”,  ku ka theksuar se qytetarët nuk duhet të mashtrohen nga fjalët, pasi sipas tij, tema e parë do të jetë dialogu dhe taksa.

“Në këto katër vite na presin tema të rëndësishme për vendin, prandaj na duhet me gjet më i bashkua njerëzit, me i ofrua edhe ata që nuk pajtohen. Jo përplasje, po afrim të qëndrimeve në tema nacionale, kjo ka qenë jeta ime politike dhe slogani bashkë për shtetin këtë kuptim e ka. Kurrë më e nevojshme nuk ka qenë me qenë bashkë për shtetin në disa tema që na presin ditën e parë të qeverisjes. Lerëni çka iu thonë, tema e parëështë dialogu, taksa, këto tema kanë me i pas, çkado që iu thonë sot temën e parë e ka dialogun. Nëse një qeveri që nuk ka me mujtë me e kry dialogun, përsëri ka me shkua vendi në zgjedhje, këto janë tema që e presin vendin. Duhet me pas guxim me iu thënë qytetarëve çka e pret vendin, duhet me pas guxim me shkua me u ul atje në tavolinë edhe mençuri. Guxim intelektual, jo primitiv”, ka thënë Limaj.

Limaj ka thënë se prioritet të qeverisjes se tij e kanë zhvillimin e bujqësisë, ku për katër vitet e ardhshme kanë paraparë 500 milionë euro investime në bujqësi.

Sipas tij, prioritet do të kenë edhe mbështetjen dhe promovimin e prodhuesve vendorë.

Prioritet tjetër, Limaj ka thënë  se e kanë diasporën, paketën sociale, sigurimin social dhe sigurimin shëndetësor.

Kreu i Nismës ka shtuar se prioritet gjatë qeverisjes së tij do ta ketë reformën në drejtësi, ku ai tha se e di se çka është padrejtësia, sepse është përballur me padrejtësi për vite me radhë.

I pari i Nismës u ka bërë thirrje kandidatëve që të përballen në një debat, që sipas tij, është e vetmja mundësi që qytetarët të dinë se çka mund të ofrojnë për Kosovën.

Ai ka ripërsëritur se ka kandidatë që duan të bëhen kryeministër e që asnjëherë nuk kanë pasur një punë.

Limaj ka thënë se ka shumë respekt për kundërkandidatët, por që për ta është shumë herët për ta marrë këtë përgjegjësi.

Ndryshe, Nisma që disa ditë është aktivizuar fuqishëm në teren ku pretendenti për kryeministër Fatmir Limaj po shpalos vizionin e tij për kryeministër të vendit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dy kryetarë të nëndegëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK)…