Limaj e quan Kurtin administrator, Muratin referent kontabiliteti

26 tetor 2022 | 22:31

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka kritikuar Qeverinë Kurti duke e quajtur administratë që drejtohet nga një “referent kontabiliteti”, duke aluduar në ministrin e Financave, Hekuran Murati, dhe nga një administrator, siç e quan Albin Kurtin.

Limaj thotë se përkundër se punëtorët e ‘administratës’ së qeverisë kanë shkuar në punë ata nuk kanë punuar, sepse eprorët e tyre nuk i kanë ngarkuar me detyra.

“Praktikisht Kosova nuk po qeveriset, po administrohet nga një referent kontabiliteti dhe një administrator dhe një administrator, këtë rasti kryeministri, i cili po e administron Kosovën. Punëtorët e administratës kanë shkuar çdo ditë në punë, por s’kanë punuar sepse nuk u është dhënë punë, sepse Kosova është në administrim”, ka deklaruar Limaj në T7.

Ai ka thënë se qeveria që drejtohet nga Albin Kurti i ka tejkaluar negativisht parashikimet e tij.

“Kjo qeveri i ka tejkaluar parashikimet e mia në kuptimin negativ, s’është që kam pritur shumë, por s’ma ka marrë mendja bash që në këtë nivel kanë me shku gjërat. S’kam menduar se një qeveri me 50% s’do të krijojë një ekip profesional, kombëtar, politik me përvojë për ta udhëhequr”.

Limaj e ka kritikuar ashpër qeverinë për mungesë investimesh e projektesh, duke thënë se po e mbyll vitin buxhetor me 700 milionë euro suficit.

“Kosova, ose Qeveria e Kosovës, është e vetmja në Evropë që po e mbyll vitin buxhetor me asnjë investim kapital, ose me kapital të paprekur. Mbi suficit është me 700 milionë euro. Kjo po ndodh në një vend me probleme ekonomike dhe të varfër”.

I pari i Nismës Socialdemokrate ka deklaruar se qeveria është treguar e paaftë që ta realizojë të paktën një investim serioz në Kosovë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar pozicionimin e Kosovës…