Limaj më meritori për zgjidhjen e çështjes së demarkacionit
Pakkush mund të kishte besuar se kjo legjislaturë do të mund t’i jepte zgjidhje marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi.
Pikërisht kjo marrëveshje e nënshkruar më 25 gusht të vitit 2015 në Vjenë e kishte polarizuar keq skenën politike në Kosovë.
Për gati tre vjet çështja e demarkacionit ishte diskutuar thuajse në secilën familje në Kosovë, e pikërisht demarkacioni ishte kusht për heqjen e vizave për kosovarët.
Kur të gjithë mendonin se Kuvendi i Kosovës do ta rrezonte këtë marrëveshje dhe gjithçka do të riniste nga pika zero, kryetari i Nismës Socialdemokrate, njëherësh zëvendëskryeministër i Kosovës, Fatmir Limaj, u angazhua fort për gjetjen e një zgjidhjeje të cilën ai e quante kreative.
Limaj kishte marrë për mision gjetjen e një zgjidhjeje për të cilën pak mund të besonte se do të arrihej.
Numri dy i Qeverisë së Kosovës propozoi rishikimin e pikave të kontestuara gjatë vizitës së tij në Malin e Zi.
Në fakt vizita e tij u mbajt larg syrit të publik, ndryshe nga vizitat tjera të delegacioneve nga Kosova të cilat dështuan në gjetjen e një gjuhe të përbashkët me palën malazeze.
Propozimi i Limajt u konkretizua gjatë vizitës së kryeministrit malazias në Kosovë.
Limaj, megjithatë nuk u ndal me kaq pasi ai ishte përfshirë edhe në arritjen e konsensusit mes partive shqiptare në Kosovë dhe sigurimin e votave të nevojshme për ratifikimin e marrëveshjes.
Vetë Limaj është treguar modest kur ishte pyetur se kujt i takojnë meritat për arritjen e marrëveshjes për demarkacionin, duke ia lënë meritat gjithë spektrit politik.
Por ajo që dihet është se pa angazhimin e Limajt për këtë çështje, gjithçka do të niste nga pika zero dhe Kosova do t’i humbiste hapat për liberalizimin e vizave dhe hapjen e perspektivës evropiane.