LIRIA E ALBANËS

18 janar 2021 | 10:26

BUJAR SALIHU

 

Të premtën e parë të asaj pranvere

Tufa e zezë e çafkave të grifshës

Pasi kishin mbrehur kthetërzezat

U shfaq me rafale të forta krrokamash

 

Shtinë mbi të gjithë burrat që panë atë ditë

Fëmijët e nuset i bënë bashkë, fytyrat ua gërvishën

Nga një gjarpër të zi në qafë ua lidhën

E në fund edhe mbi ta shtinë

 

Pas disa orësh në një shesh i ekspozuan kufomat e gjalla

I radhitën një për një, si në një fidanishte qiparisi

S’i kishte shpëtuar këtij rrebeshi

As Albana e re me të katër fëmijët e saj të njomë

 

Kur i kishte dalë kllapia, shikoi rreth e rrotull

Pa ta kishin mbuluar trupa të panumërt e të masakruar keq

Të hedhur si patate të mërdhira

Mbi një kamion gjigant që po ngiste plot ushtimë

 

Në ato momente tmerri sikur e pa greminen e hapur qëpo e priste

Sa keq që nuk m’paskan pushkatuar…

U rrotullua dhe deshi t’i shikonte fytyrat e përgjysmuaratë fëmijëve

Kur s’i pa më, u hodh me hov në udhën e re të vdekjes

As nga ai fluturim s’u puq me vdekjen, u rrokullis nën shumë gërmadha

Dhe të premten e fundit të po asaj stine, pa ikjen e çafkave të grifshës

Liria solli shumë lule, po Albanës i la në dorë veç një trëndafil të zi

Për ta vënë mbi eshtrat e burrit dhe katër fëmijve, që atë ditë e sot s’ua gjeti më

 

(Kjo poezi është botuar në sprovën për antologji “Dritë mbi plagë”, botuar nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, Gjenevë, 2020)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Albert Mustafa Lasgush Poradeci e vlerësonte shumë Bodlerin si poet,…