Liria transferon dhjetë futbollistë, synohet rikthimi në Superligë

21 janar 2022 | 16:59

KF Liria e ka mbyllur stinorin vjeshtor në pozitën e gjashtë të Grupit A në Ligën e Parë të Kosovës, me 19 pikë në 14 ndeshje, tetë më pak se vendi i parë, të cilin e mban Trepça ’89.

Skuadra nga Prizreni, pavarësisht prej kushteve të mira brenda klubit, nuk ka arritur rezultate të kënaqshme në pjesën e parë kampionale, por shpresat janë të mëdha në vazhdim. Prizrenasit kanë arritur marrëveshje me dhjetë futbollistë në afatin kalimtar të janarit. Bëhet fjalë për Viktor Kukën, Roni Gashin, Astrit Berishën, Hawes Stewart, Daniel Goncalves, Altin Aliun, Endrit Vitijën, Festim Haxhiun, Nderim Hasanin dhe Visar Berishën.

Në një intervistë për “Olle”, kryetari i KF Lirisë, Ekrem Elshani, flet për gjendjen momentale të klubit dhe synimet në vazhdim. “Në vazhdën e konsolidimit të skuadrës për stinorin pranveror 2021/22, ne drejtuesit e klubit tani jemi afër përmbylljes së marrëveshjeve me futbollistë. Aktualisht kemi sjellë freski dhe përforcime, diku rreth dhjetë sosh. Qëllimi dhe synimi ynë dihet qartë, kthimi në Superligë, sepse s’ka alternativë tjetër”, ka thënë Elshani.

Presidenti i Lirisë tregon se në klubin e tij ka motiv të madh për punë dhe nuk mungon asgjë, duke filluar nga pagat e deri te transporti e rekuizitat e nevojshme.

“Në skuadrën tonë tani nuk mungon asgjë përpos rezultateve, e këto tani shpresojmë t’i kthejmë. Janë krijuar rrethanat e reja, sepse ka motiv shtesë për punë, duke marrë për bazë përforcimet me lojtarë, pastaj ndryshimin në infrastrukturën e stadiumit, kushtet e mira të krijuara për lojtarë, si pagat, ushqimi, fjetja, transporti, veshmbathjet dhe rekuizitat e nevojshme janë motive shtesë që kjo skuadër te ‘luftojë’ në fushë për kthimin në Superligë”, ka shtuar Elshani për “Olle”.

Kujtojmë se skuadrën me traditë në Kosovë gjatë stinorit pranveror do ta drejtojë trajneri Granit Begolli, i cili ka marrë detyrën pak kohë më parë. Skuadra e Lirisë ka filluar përgatitjet nga data 5 janar, kurse prej datës 26 janar përgatitjet do të zhvillohen në Durrës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkëmb i rëndë prej 20 tonë qëndron pezull mbi pendën…