Lladrovci: Koalicion bëj veç me qytetarin e Drenasit, kurse nga balotazhi pres vetëm fitore

19 tetor 2021 | 19:03

Të dielën që lamë pas qytetarë te Kosovës iu drejtuan kutive të votimit për të zgjedhur të parët e komunave të tyre.

Kësisoj mbi 45% e qytetarëve dolën në votime, por pavarësisht kësaj shumë prej tyre do të duhet të dalin në votim edhe një herë. E gjithë kjo pasi shumë prej kandidatëve nuk arritën të marrin mbi 50% të votave dhe të arrijnë fitoren që në raundin e parë.

E në mesin e komunave që do të shkojë drejt balotazhit është edhe ajo e Drenasit.

Në garë për të drejtuar komunën është kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Ramiz Lladrovci si dhe Driton Ajazi.

Lidhur me këtë lajmi.net ka kontaktuar kandidatin e PDK-së, Ramiz Lladrovci i cili shprehet i bindur në fitore nga raundi i dytë zgjedhor në këtë komunë.

Lladrovci madje ka deklaruar se nuk do të lidhë koalicion me askënd dhe se koalicionin e vetëm do ta ketë me qytetin e Drenasit.

“Unë veç me qytetarin do të hyjë në koalicion. Me askënd tjetër, vetëm me qytetarin e Drenasit”, deklaroi Lladrovci.

Ai gjithashtu tha se nga rezultati i balotazhit nuk pret asgjë tjetër, përpos fitores.

“Rezultatin e balotazhit s’ka tjetër çka muj me prit, përpos fitores”, shtoi ai.

Në zgjedhjet e 17 tetorit, Ramiz Lladrovci arriti të marrë vetëm 45.62% të votave.

Ndërsa kundërkandidati i tij Driton Ajazi mblodhi 30.74%. Përqindja jo e mjaftueshme në raundin e parë të zgjedhjeve bëri që të lëkundet paksa besimi i Lladrovcit për fitore.

Duhet përkujtuar që në krye të kësaj komune deri tani ka qenë pikërisht Ramiz Lladrovci i cili madje ishte zgjedhur edhe kryetari me performancën më të mirë.

Gjatë kohës sa ai drejtonte komunën pati edhe disa raportime për “ftohje” të marrëdhënieve me Partinë Demokratike të Kosovës, gjë që e pati mohuar vetë ky i fundit.

Nga zgjedhjet e fundit lokal numrin më të madh të komunave të fituara e ka Partia Demokratike e Kosovës.

PDK arriti që të fitojë katër komuna, ku në tri prej tyre do të jenë kryetar të rinj.

Bedri Hamza arriti të fitojë Komunën e Mitrovicës, Agim Aliu sërish do të drejtojë qytetin e Ferizajt, kurse PDK mori nën drejtim tani edhe Komunën e Skenderajt, aty ku këtë vit ishte një nga garat më të rëndësishme politike. Pa balotazh PDK fitoi edhe Komunën e Hanit të Elezit.

Përpos kësaj në balotazh PDK do të jetë edhe në disa komuna si: Kaçanik, Vushtrri, Prizren, Shtime, Klinë, Dragash si dhe në Drenas. Poashtu kandidati i PDK-së, Uran Ismaili arriti që të marrë numrin më të madh të votave në historikun e PDK-së sa i përket kandidimit në kryeqytet.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidatja për asamble të Vushtrrisë nga radhët e Partisë Demokratike…