Lladrovci pret Bruno Cekën, e falënderon për kontributin atdhetar

15 korrik 2021 | 15:42

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, sot ka pritur, atdhetarin e shquar, Bruno Ceka, kryetar i Kongresit Panshqiptar Amerikan, me të cilin ka thënë ka “kujtime të jashtëzakonshme dhe miqësi dhe respekt të ndërsjellë”.

Lladrovci ka shkruar po ashtu se “Ne jemi gjithmonë falënderues për kontributin e atdhetarëve për çlirimin e Kosovës, ku vend të veçantë dhe rrol me rëndësi kishte edhe z. Bruno Ceka me kontribuuesit tjerë në Amerikë. Ne kurrë nuk do ta harrojmë atë kohë të rëndë e të vështirë për popullin tonë”.

Postimi i plotë i z. Lladrovci:

Sot, kam qenë i nderuar të pres me bashkëpunëtorë në komunë, mysafirin, njëkohësisht mikun tim, z. Bruno Ceka, kryetar i Kongresit Panshqiptar në Amerikë, me të cilin kam kujtime të jashtëzakonshme dhe miqësi dhe respekt të ndërsjellë.

Miqësia jonë ka fillime të kamotshme, në organizimet e para të rezistencës kundër okupatorit, e deri në ditët e sotme. Kontributi i shqiptarëve në Amerikë është i jashtëzakonshëm. Nga jeta dhe vepra e Bruno Cekës, konfirmohet plotësisht thënia e njohur e Nolit kur shkruante “Nëno moj, mos ke frikë, se ke djemtë në Amerikë!”.

Çështja shqiptare është paraqitur dhe mbrojtur nga shumë atdhetarë në Amerikë, Bruno Ceka me miqtë tjerë, kanë rrol të madh dhe të njohur, duke hapur debate për proceset e rënda gjatë robërisë, për rëndësinë e çështjes shqiptare në Ballkan dhe domosdonë e çlirimit të Kosovës.

Sot, me kënaqësi kujtuam angazhimin e përbashkët, me qëllimet më të mira për popullin tonë, për miqtë amerikanë dhe fuqizimin e shtetit tonë nëpërmjet diasporës. Po ashtu folëm për takimet tona të mëhershme, dhe takimet e përbashkëta në Amerikë, ku mikpritja e z. Ceka është tepër e rrallë dhe e veçantë.

Në takim fola për zhvillimet në komunë, ecurinë e angazhimit për mirëqenien e qytetarëve, por edhe për sportin, kur miku im Bruno ishte kapiten i “Shkëndijës”.

Ne jemi gjithmonë falënderues për kontributin e atdhetarëve për çlirimin e Kosovës, ku vend të veçantë dhe rrol me rëndësi kishte edhe z. Bruno Ceka me kontribuuesit tjerë në Amerikë. Ne kurrë nuk do ta harrojmë atë kohë të rëndë e të vështirë për popullin tonë. Faleminderit për vizitën, në komunën e Drenasit. Përgjithmonë falënderues për kontributin Tuaj atdhetar!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasada e Zvicrës në Prishtinë ka njoftuar se sipas vendimit…