Lluka: Minatorët duhet të kenë sigurim shëndetësor të përjetshëm

18 shtator 2019 | 14:10

Ministri në largim i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka vizituar “Trepçën” me ç’rast ka parë nga afër punën e rëndë të minatorëve.

Ai ka thënë se “Trepça” është pasuri pafund nëntokësore.

“760 metra nëntokë, i mahnitur nga ajo çfarë Trepça jonë na ofron. Pasuri pafund nëntokësore. E përjetova punën e rëndë të minatorëve, së bashku me Adnanin e Bujarin, duke punuar në temperatura mbi 40 gradë celsius, me aromë të dinamitit të sapo eksploduar. I dëgjova të gjithë për ankesat dhe kushtet që kishin dhe asnjëherë nuk i kam dëgjuar më mirë. Asnjëherë nuk e kam përjetuar mundin më mirë”, ka shkruar Lluka në llogarinë e vet në “Facebook”.

Ministri në largim ka thënë se minatorët duhet të trajtohen ndryshe, të kenë sigurime shëndetësore të përjetshme si dhe pensionimi i tyre duhet të bëhet në moshën 55 vjeçare.

Sipas Llukës, në mandatin e ardhshëm të gjithë së bashku duhet të përfundojnë atë që u është premtuar që 20 vite minatorëve.

“Sot ata më kanë bindur më shumë se kurrë që ligji për minatorët dhe benefitet e tyre sociale është më shumë se i nevojshëm. Nuk mundet që një 65 vjeçar të punoj në ato kushte, prandaj pensionimi duhet të bëhet në moshën 55 vjeçare. Nuk munden që ata të pensionohen me 70 EUR pagë mujore, prandaj duhen të trajtohen ndryshe. Nuk kanë shëndet të fortë duke punuar në ato kushte, prandaj duhet t’ju sigurojmë sigurim shëndetësor të përjetshëm. Ligji për Minatorët ka filluar para 4 muajve, i iniciuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik në bashkëpunim me Ministrinë e Punës, dhe tani ka mbetur që në mandatin e ardhshëm, të gjithë së bashku, të përfundojmë atë që ju kemi premtuar që 20 vite”, ka deklaruar Lluka.

/Epoka e re/ 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-komandanti i UÇK-së, Naim Maloku, ka bërë me dije se…