Lluka nënshkruan marrëveshjen për digjitalizimin e biznesit për kompanitë vendore

22 janar 2020 | 15:22

Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZhE) Valdrin Lluka dhe shefi i zyrës së Agjencionit Austriak për Zhvillimit (ADA) në Kosovë, Gunther Zimmer, kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit në mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj Austriake, të quajtur “Qasja në treg dhe shërbimet e digjitalizimit të biznesit për kompanitë e Kosovës – ACCESS”, e cila ndër të tjerash ka për synim uljen e varfërisë në Kosovë.

Me këtë rast Lluka ka deklaruar se ky projekt do të mundësoje aplikimin e praktikave më të mira austriake të zhvillimit të sektorit privat. “Ky projekt është edhe një dëshmitar e bashkëpunimit të ngushtë në mes të Qeverisë Austriake dhe asaj të Kosovës në fushën e Zhvillimit të sektorit privat. Agjencioni Zhvillimor Austriak ka qenë gjithmonë i gatshëm të ndihmoj Kosovën duke aplikuar në Kosovë praktikat më të mira austriake të zhvillimit”, u shpreh ai.

Ndërsa, Zimmer Gunther, shefi i zyrës së ADA në Kosovë, ka thënë se përmes këtij projekti vazhdojmë përkrahjen e zhvillimit të sektorit privat në Kosovë në luftën kundër varfërisë. “Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) përmes projektit ACCESS vazhdon përkrahjen për zhvillimin e sektorit privat në Kosovë me qëllim të fuqizimit të mëtejmë të ndërmarrjeve private dhe luftimit të varfërisë. Krahas projekteve në zhvillimin rural, arsimin e lartë, stimulimin e investimeve të huaja, fuqizimin e sektorit privat etj. ADA, përmes projektit ACCESS dhe në bashkëpunim me qeverinë e Republikës së Kosovës, mbetet e përkushtuar për fuqizimin e sektorit privat në Kosovë edhe përmes fushës së digjitalizimit. Projekti synon mes tjerash që të kontribuojë në aftësimin e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme të Kosovës për tu përballur me sfidat e epokës së digjitalizimit. Nënshkrimi i marrëveshjes me MZhE-në, është një dëshmi për përkushtimin e institucioneve të Kosovës drejt këtij synimi të përbashkët”, ka thënë Zimmer Gunther nga Agjencia Austriake për Zhvillim.

“Kjo marrëveshje përmban një sërë intervenimesh lehtësuese, përballë kufizimeve sistemike të tregut të cilat pengojnë uljen e varfërisë në Kosovë. Intervenimet janë përshtatur për të nxitur ndryshime sistemike në sjelljet, aftësitë dhe marrëdhëniet e akterëve kyç të sistemit të tregut dhe për të sjellë përfitime për njerëzit që jetojnë në varfëri. Si rezultat i këtij projekti, 150 vende pune do të krijohen ose mirëmbahen, deri në 4,800 kompani të sektorit privat, të punësuarit e tyre dhe popullsia më e gjerë (dhe ajo e varfër) në Kosovë do të përfitojnë nga aktivitetet e projektit”, thuhet në njoftimin e MZhE-së.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
236 nxënës të komunës së Vushtrrisë kanë janë shpërblyer me…