Lluka thotë se pranimi i Kosovës në ENTSO-s do të ndodhë së shpejti

17 nëntor 2018 | 15:58

Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZhE), Valdrin Lluka, ka bërë me dije se  pranimi i Kosovës në rrjetin e operatorëve të sistemeve të transmisionit të energjisë elektrike për vendet e BE-së, i njohur si ENTSO, do të ndodhë në një të ardhme të afërt.

Në një intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai sqaroi se sa i përket mospranimit, ditë më parë propozimi për një formë të tillë të pranimit s’ka qenë i përshtatshëm për Republikën e Kosovës dhe se Qeveria e Kosovës,  e ka kundërshtuar propozimin e ENTSO-s.

“Pranimi në ENTSO do të ndodhë në një të ardhme të afërt. Është fatkeqësi që një trup tejet teknik si ENTOS të jetë i varur tërësisht nga vendime politike. Kosova padrejtësisht është trajtuar nga ky trup për shumë vjet. Qytetarët tanë, për shkak të këtij trajtimi, janë dëmtuar për vite me radhë. Sa i përket mospranimit, ditë më parë propozimi për një formë të tillë të pranimit nuk ka qenë i përshtatshëm për Republikën e Kosovës, pra ne si Qeveri e kemi kundërshtuar propozimin e ENTSO-s, rrjedhimisht ky vendim nuk na ka dëmtuar. Ne aspirojmë të jemi anëtarë të ENTSO-s me të drejta të plota sikurse të gjitha shtetet e pavarura të Evropës, prandaj edhe abstenimi i shteteve mike ka qenë në përputhje me qëndrimin tonë”, ka deklaruar Lluka, duke shtuar se në kohën e duhur do t’i marrinë të gjitha masat që shtetet mike të jenë të radhitura përkrahë nesh për anëtarësim të Kosovës si shtet me të drejta të plota.

/Epoka e Re/ (Albulena MAVRAJ)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
"Kur nise kryengritjen ishe më i ri, se unë sot.…