Llumnica dhe Sermaxhaj: Sukseset e ‘Niklit’, të merituara

27 maj 2019 | 20:43

Dy trajnerët dhe analistët e futbollit të Kosovës, Ardian Llumnica dhe Genc Sermaxhaj, i kanë vlerësuar të merituara sukseset e Feronikelit në kampionat dhe Kupë. Anë janë të bindur se kjo skuadër me tri apo katër përforcime do të paraqitet mirë edhe në garat parakualifikuese të Ligës së Kampionëve.

KF Feronikeli është shpallur fitues i titullit të kampionit dhe Kupës për edicionin 2018/2019. Trajneri dhe analisti i futbollit të Kosovës, Ardian Llumnica, për “Epokën e re” i vlerësoi sukseset e skuadrës nga Drenasi të merituara dhe që kanë krijuar bazën që disa vjet. Sipas Llumnicës, Feronikeli dëshmoi se si një skuadër nga një qytet i vogël për pak vite është bërë skuadra më e trofeshme në futbollin e Kosovës dhe model për klubet e mëdha. “Suksesi dhe organizimi i ‘Niklit’ ka filluar vite më parë duke u shpallur edhe më herët kampion dhe fitues i Kupës, kështu ka filluar baza e një klubi të organizuar si vullnet i njerëzve seriozë të Drenasit. ‘Nikli’ është bërë model se si një klub nga një qytet i vogël bëhet ndër klubet më të organizuara dhe më të trofeshme në dekadën e fundit në futbollin e Kosovës. Futbollistët dhe stafi teknik pa dyshim se janë meritorët dhe indikatorë në suksesin e ‘Niklit’, por nuk duhet harruar edhe presidentin e klubit, Naser Rama, që e bartë kuletën e klubit, madje nuk duhet harruar as kryetarin e Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, që ka ditur të afrojë afaristë të tillë në klub që nuk e kanë problem aspektin financiar, problem që komunat e tjera nuk po dinë ende ta zgjedhin. Kësi biznesmenë iu duhen klubeve në gjithë Kosovën nëse duan të kenë trofe, sepse Superliga tashmë është bërë e shtrenjtë”, ka thënë Llumnica.

Trajneri Llumnica më pas ka thënë se drejtuesit e klubit të Feronikelit duhet që fillimisht të ruajnë skeletin dhe t’i bëjnë katër përforcime. “Nikli ka skuadër të mirë. E them në suaza të cilësisë të kampionatit tonë. Madje me këtë skuadër që ka, jam i bindur se do t’i kalojë edhe këto ndeshje parakualifikuese me sukses, por natyrisht se ka nevojë të përforcohet. ‘Nikli’ duhet ta ruajë skeletin e skuadrës dhe me tre-katër përforcime eventuale ta freskojë skuadrën në disa reparte duke e rritur edhe më shumë konkurrencën sepse mëton të shkojë sa më lart në fazën e grupeve në garat ndërkombëtare si dhe prapë sezonin e ri ta fillojë për titull”, ka deklaruar Llumnica, i cili më pas ka treguar emrat që nga lojtarët në Kosovë mund të ishin idealë për këtë skuadër. “Brenda tregut kosovar një futbollist si Ajzeraj i Ballkanit, Shillova i Flamurtarit, Namani i Llapit apo Krasniqi i Dritës, mendoj se do të ishin produktivë për ‘Niklin’”, ka shtuar ai. Në fund, Ardian Llumnica i ka sugjeruar skuadrës së Feronikelit të përforcohet edhe jashtë fushës, duke angazhuar drejtor sportiv, zëdhënës, staf mjekësor dhe kondicional.

Edhe analisti tjetër i futbollit, Genc Sermaxhaj, është në linjë të njëjtë me Ardian Llumnicën kur janë në pyetje sukseset e Feronikelit në edicionin që sapo përfundoi. Ish-futbollisti i dëshmuar në disa skuadra të Kosovës, Genc Sermaxhaj, merita të mëdha për sukseset e “Niklit” i ka dhënë trajnerit Zekrija Ramadani. “Feronikeli me plot meritë është shpallur fitues i titullit dhe Kupës së Kosovës. Këtë rezultat e dëshmoi me identitetin e lojës në secilën ndeshje duke qenë bindës në detyrat e lojës dhe, po ashtu, me superioritet cilësor ndaj kundërshtarëve. E vlerësoj lart punën e trajnerit Zekirja Ramadani, i cili nuk hoqi dorë nga mënyra e lojës së tij, pavarësisht prej kundërshtarëve. Gjithashtu nuk pati vetëm një ekip startues, por dy ekipe cilësore, ku në mënyrë racionale bënte edhe ndryshimet e lojtarëve startues dhe zëvendësues. Atmosfera e mirë në klub po ashtu është një faktor tjetër që të bën kampion, prandaj komplimente për të gjitha ato që Feronikeli na ofroi në këtë edicion”, ka thënë Sermaxhaj.

“Feronikelit nuk i duhen shumë përforcime, prandaj besoj se dy ose tri transferime janë të mjaftueshme për të mos e ndryshuar shumë mënyrën e lojës. Shpresoj dhe besoj se do të paraqiten mirë dhe për këtë nuk dyshoj sepse motivi i tyre për të pasur sukses është edhe më i madh, prandaj duhet të vazhdojnë me këtë mënyrë të lojës dhe punës që e kanë bërë, duke qenë me këmbë në tokë dhe të mos vetëkënaqen me këto suksese”, ka deklaruar Sermaxhaj.

/Veton ZYMBERI/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Teuta Rugova, rrallëherë respekton…