Lobimi turk për njohjen e Kosovës, Vuçiqi: Erdogani është shumë i fuqishëm

21 korrik 2021 | 11:55

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se shteti serb do të kundërshtojë nëse do të nis një lobim i ri nga Turqia për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Gjatë vizitës së tij në manastirin Manasi, kur është pyetur në lidhje me paralajmërimin e presidentit turk, Rexhep Taip Erdogan se ai do ta intensifikojë lobimin për pavarësinë e Kosovës, Vuçiqi ka thënë për “TV Pink” se kjo është realiste, sepse Turqia është superfuqi.

“Unë do të përpiqem të flas me të. Deri më 1 shtator, sipas marrëveshjes së Uashingtonit, të dy palët detyrohet të mos lobojnë për njohje ose çnjohje. Nëse ata fillojnë aksionin e njohjes nga 1 shtatori, ose ndoshta para kësaj, ne do ta kundërshtojmë atë”, ka thënë Vuçiqi.

Më tutje, Vuçiqi ka theksuar se Turqia është fuqi e madhe, por ai ka nënvizuar se “Serbia nuk është aq e vogël sa që nuk do të përpiqej të kundërshtonte”.

“Na mbetet të luftojmë për vendin dhe popullin tonë. Ne nuk kemi atdhe rezervë, kështu që do të shohim. Erdogani është shumë i fuqishëm, ne nuk jemi, dhe shpresoj se ai do të zbutet. Nëse ai nuk zbutet, ne do të luftojmë për vendin tonë. Dhe nga Zoti, ju do të shihni se ne nuk jemi aq të vegjël sa kam thënë”, ka thënë Vuçiqi.

Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, ka thënë në një konferencë për media para vizitës në Republikën Turke të Qipros së Veriut se duhet të punohet për ta rritur numrin e shteteve që e njohin pavarësinë e Kosovës.

Ai ka thënë se për njohjen e Kosovës do të diskutojë edhe me presidentin e SHBA-së, Joe Biden.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Studio urbanistike “Emaar Group” në Dubai, e cila është zhvendosur…