Loci: Komuna e Pejës i ka ngritur në maksimum kapacitetet mjekësore për t’u përballur me Covidin

23 nëntor 2020 | 14:02

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka mbajtur të hënën takimin konsultativ të Këshillit të Drejtorëve, ku u diskutua për çështje të ndryshme.

Gjatë takimit është diskutuar për menaxhimin e situatës për parandalimin e Covid-19 deri në normalizimin e gjendjes, reduktimin e stafit dhe për procesin e mësimit në këtë komunë.

Në këtë takim është bërë me dije se për shkak të rritjes së rasteve me Covid në shkollat “Vaso Pashë Shkodrani” dhe “Shaban Spahija”, mësimi në këto dy shkolla ende po vazhdon të mbahet online.

Gjithashtu në këtë takim është kërkuar që aktivitetet e prokurimit të përmbyllen në afatin optimal për këtë vit.
Drejtori për Shëndetësi në Komunën e Pejës, Petrit Loci, ka thënë se nëse vazhdon kjo gjendje me rritje të rasteve me Covid, atëherë duhet të bëhen gati edhe QMF-ja në Taphane si ndihmëse e QMF-së në Fidanishte për trajtimin e rasteve me Covid për dhënien e terapive.

Ai ka thënë se komuna i ka ngritur në maksimum kapacitetet mjekësore për t’u përballur me Covidin, përkundër vështirësive, të cilat, po paraqiten, sidomos me sigurimin e listës esenciale.

Aktualisht në spitalin e përgjithshëm në Pejë janë të shtrirë 124 pacientë me Covid-19 ku gravitojnë pesë komuna të këtij regjioni.

(Q.R / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Numri i madh i veturave të paregjistruara është vetëm një…