Logjika e Millosheviqit në mendjen politike të Aleksandër Vuçiqit

14 shtator 2018 | 14:14

Dr. Sabri Kiçmari

(Lexim analitik i fjalimit në Mitrovicë të presidentit serb)

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në fjalimin e tij në Mitrovicë, më 9 shtator 2018, ka demonstruar mendësinë nacionaliste agresive, identike me ato që kishte bërë Sllobodan Millosheviqi në vitin 1989 në Fushë-Kosovë dhe Vladimir Putini në mars të vitit 2015 në Dumën Ruse, pas pushtimit të Krimesë.

Edhe pse fjalimi ishte menduar si një bashkëbisedim me qytetarët serbë të Kosovës, janë tri subjekte kryesore të cilave u adresohet Aleksandër Vuçiqi: qytetarëve serbë të Kosovës, opozitës në Serbi dhe aktorëve ndërkombëtarë. Dhe varësisht nga subjekti, që i adresohet, ndryshojnë edhe mesazhet, në përmbajtje herë-herë kontradiktore.

Fjalimin e përshkon një fill i kuq nacionalizmi serbomadh. Vuçiqi flet për “Serbinë e Madhe”, për Betejën e Kosovës, e cilëson Millosheviqin si “lider të madh serb, i cili kishte qëllime madhështore”, flet me përçmim racist për shqiptarët, hyjnizon “tri e më shumë luftëra, që serbët kanë zhvilluar në shekullin e kaluar, në të cilat serbët kanë vdekur në Knin (Kroaci), Sarajevë (Bosnje) dhe Prishtinë (Kosovë)”. Por, ajo që nuk përmendi Vuçiqi janë viktimat, gjenocidi, terrori masiv, pastrimi etnik, dhunimet dhe vrasjet, që gjatë këtyre luftërave i kanë shkaktuar forcat ushtarake serbe.

Gjuha raciste ndaj shqiptarëve shfaqet hapur, sidomos kur flet në mënyrë përçmuese për z. Thaçi: “Hashim Thaçi quhet ai njeri, atje. Po, po, shqiptar është… dhe unë duhet të flas me të”. Me këtë adresim ai ripërsërit në fjalorin politik serb simbolikën e shqiptarit, për të cilin logjika nacionaliste serbe mendon se nuk është i denjë për të biseduar më të, por vetëm për ta sunduar, burgosur dhe vrarë. Të njëjtën gjë bënë me fyerjen e flamurit kroat, kur deklaron se në “Knin valon fusha e shahut, e cila nuk ka qenë kurrë atje”.

Mendësia kolonialiste shprehet edhe në fjalinë, në të cilën i kritikon serbët se e kanë mohuar mësimin e gjuhës shqipe me përbuzje, përderisa shqiptarët e mësonin gjuhën serbe. Ai i kritikon shqiptarët tani se po bëjnë të njëjtin gabim si edhe serbët dikur, pasi që nuk po e mësojnë më gjuhën serbe. Sigurisht ai dëshiron që shqiptarët ende në Kosovë të mësonin serbishten dhe jo anglishten e gjermanishten,  porse “harroi”, me këtë rast, të ftoj pakicën serbe të mësojë gjuhën shqipe, për t’u gjendur dhe integruar më lehtë në shoqërinë e Kosovës.

Vuçiqi në fjalimin e tij e ka cilësuar luftën e Serbisë kundër NATO-s në vitin 1999 si një luftë “të vërtetë dhe trimërore”, të cilën e ka humbur “si 610 vite më parë”.

Pasi që serbët e kanë humbur luftën, ata kanë humbur territore të rëndësishme, kanë lënë shtëpitë dhe vendbanimet e tyre, duke mos dashur të jetojnë nën qeverisjen e  shqiptarëve. Komenti i tij i thjeshtë: “Kur të humbni luftën, për këtë paguhet çmimi. I lartë, më i larti”.

Madhërimi i figurës së Millosheviqit si “një lider i madh serb me qëllime shumë të mira” dëshmon se logjika e Millosheviqit është ulur këmbëkryq në mendjen politike të Aleksandër Vuçiqit.  Serbia nuk u  bë  e madhe për shkak të analizës së dobët të Millosheviqit dhe jo për shkak se kjo ide ishte e padrejtë. Pikërisht këtu shpërfaqet lakuriq mendimi i tij themelor nacionalist serbomadh. Shpresoj se BE-ja dhe SHBA-të do ta lexojnë me kujdes këtë gjë. Dhe të kuptojnë se ushtrimet e përbashkëta ushtarake të ushtrisë serbe me atë ruse dhe bjelloruse, nuk janë vetëm një simbolikë distance ndaj NATO-s, por janë orientimi i tyre strategjik ushtarak. Jo pa qëllim ai sërish falënderoi Moskën për mbështetjen e Serbisë, tha se Serbia nuk dëshiron të anëtarësohet në NATO, me qëllim të mbrojtjes së pavarësisë dhe neutralitetit. Por, Serbia në rrafshin ushtarak nuk është as e pavarur dhe as neutrale. Ushtrimet ushtarake me Rusinë dhe Bjellorusinë dëshmojnë se partner të tyre janë këto dy vende me qeverisje autokratike. BE-ja duhet ta sqarojë këtë diskrepancë të pakalueshme për kulturën demokratike: a mund të pranohet në BE një vend që organizon ushtrime ushtarake të përbashkëta me Rusinë dhe Bjellorusinë, lejon hapjen e misioneve ushtarake të kundërzbulimit rus në Nish dhe blen armatime të rënda nga Rusia.

Por, ka edhe një element interesant në fjalimin e  Vuçiqit: realizmi i tij. Ai e pranon se Serbia përmes luftës ka humbur shumë: në Kroaci, por edhe në Sarajevë dhe Prishtinë numri i serbëve ka rënë ndjeshëm. Ai e pranon se rezultati i politikës së Millosheviqit në Kosovë ka qenë fatal: qenë kthyer vetëm disa mijëra familje në Kosovë, kurse kanë ikur qindra mijëra. Dhe për këtë gjë ai e fajëson Serbinë, e cila nuk e ka kuptuar realisht pozitën e saj në botë, se nuk e ka kuptuar se serbët nuk janë të vetmit në botë, se e kanë dëgjuar vetëm veten e tyre. Dhe për këtë serbët e kanë paguar çmimin më të madh. Ai konstaton se populli serb është bilogjikisht para ambisit, është në buzë të humnerës, dhe ka diçka që e tërheqë për të bërë një hap teposhtë, se shekulli i njëzetë i ka vrarë serbët, se Serbia ka humbur shumë njerëz, të cilët nuk do të zëvendësohen as në shekullin e ri. Prandaj i thërret njerëzit të kuptojnë se mundësia është që “të fitohet diçka,  e cila do të mundësoj që Serbia të jetë një vend normal me jetë normale”. Ai thotë se nuk dëshiron që t’i ftojë serbët të realizojnë Serbinë e Madhe “me çizme dhe me pushkë në dorë”, por me “libër, laps, laptop. Me punë dhe dije”.

Në akord me planin e tij për t’u paraqitur paqësor Vuçiqi tha se nuk dëshiron të dëgjojë këngë luftarake dhe t’ju premtoj armë serbëve, siç kishte bërë ai në vitet ’90-ta bashkë me Millosheviqin dhe Sheshelin, por në të njëjtën kohë i siguroi serbët se nuk do të lejojë që të tjerët të përdorin armë dhe municione kundër tyre. Edhe pse në dukje një fjali e tillë ishte paqësore, në përmbajtjen e saj kishte element nxitës: la përshtypjen sikur dikush dëshiron që kundër serbëve të përdorë armët.

Adresimin kundër oponentëve të tij politikë në Serbi presidenti serb e bëri duke i akuzuar ata “për dorëzimin në Tribunalin e Hagës të ish-presidentit të Serbisë Millosheviq dhe të gjeneralëve ushtarakë e policorë serbë”. Ai thotë se pikërisht ata sot po mbajnë leksione patriotike. Ai konstatoi se ata e nxorën çështjen e Kosovës nga formati i OKB-së për ta dërguar atë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke shpresuar se me këtë do t’i siguronin vetes pushtetin, por me këtë serbët morën “përgjigjen më të keqe të mundshme. Për këtë po paguhet një çmim i lartë”.

Dëgjuesi i vëmendshëm do të mësojë se strategjia serbe për të realizuar interesat e Serbisë në Kosovë ka tri elemente kryesore: rrugën diplomatike në raport me ndërkombëtarët, dialogun me shqiptarët e Kosovës dhe investimet ekonomike të Serbisë në Kosovë. Plani i drejtpërdrejtë i investimeve të shtetit serb (rreth 71 milionë euro në vit) në zonat e banuara me serbë në Kosovë jo vetëm për pagat, por edhe në fushën e shëndetësisë, arsimit dhe atë ekonomike e sociale dëshmon për një prezencë mirë të planifikuar, e cila mund të rezultojë me efekte konkrete.

Në fund të fjalimit të tij Vuçiqi ju rikthye sërish retorikës nacionaliste, duke u thënë serbëve të mbledhur se ata kanë humbur të gjitha, kanë sakrifikuar për Serbinë dhe për serbët. Ai u thotë atyre se i duhen të gjithë ende Serbisë, për “një përpjekje të re për të ardhmen”. Ai provon të ngjallë shpresën te ata se ai ka për qëllim, që Serbia të fitoj, për herë të parë pas shumë vitesh, pa gjak, pa vdekje, pa tmerre dhe varre, “për ta bërë Serbinë e Madhe duke pushtuar të ardhmen”.

Aleksandër Vuçiqi nuk demonstroi vullnetin për paqe gjatë vizitës së tij në Kosovë. Ai mund ta bënte këtë: të mos kërkonte të shkonte në Banjë, por në Prekaz dhe Reçak. Të përkulej para varreve të fëmijëve, grave dhe pleqve dhe të kërkonte falje para popullit të Kosovës për krimet e shtetit serb. Thjeshtë, të bënte atë që pati bërë kancelari gjerman Vili Brandt në vitin 1970 në Varshavë. Por, Vuçiqi dhe mendësia e tij nacionaliste nuk e përballon këtë gjë.

Se qëndrimi i tij në lidhje me Kosovën nuk ka ndryshuar shprehet në sigurinë drejtuar serbëve “se janë gënjeshtra ato që thuhen se ai do të njoh Republikën e Kosovës deri në fund të vitit”, duke e quajtur këtë “një rrenë e pabesueshme, e cila askujt prej nesh nuk i shkon në mendje”. Ai provokoi sërish duke thënë se “Rruga Oliver Ivanoviq në Mitrovicën e  Kosovës do të bëhet më e bukura … sepse populli dhe shteti serb e kanë vendosur këtë”. Pra, sërish dëshmoi se këtë pjesë ai e konsideron pjesë të shteti të tij, duke betonuar qëndrimin për ndarjen e Kosovës, me kufirin te muri i  Mitrovicës, në të cilin shkruan “Nga këtu nuk ka kthim mbrapa!”

Nga fjalimi i presidentit serb në Mitrovicë mund të nxirren tri përfundime themelore:

  1. Aleksandër Vuçiq nuk ka hequr dorë nga programi i Millosheviqit: ai nuk do ta njoh kurrë Kosovën, do të punojë në krijimin e Serbisë së Madhe, në të cilën të gjithë serbët do të jetojnë në një shtet, por këtë gjë, ndryshe nga Milloshehviqi, synon ta arrijë në rrugë tjetër: pa luftë, me diplomaci dhe me mbështetjen e ndërkombëtarëve. Pra, thjeshtë, Vuçiqi synon ta arrijë në paqe, atë që Serbia e ka humbur në luftë: të realizoj ëndrrën e Slobodan Millosheviqit. Ai tregohet i vendosur të punojë në këtë drejtim “pavarësisht çmimit”, pavarësisht akuzave për “tradhtar ose shovinist serb”, duke thënë se ai e dallon mirë “patriotizmin e salloneve dhe atij të vërtetë”.
  2. Serbia në rrafshin ushtarak nuk është vend neutral: ajo është në aleancë me Rusinë dhe Bjellorusinë. BE-ja do të duhej të analizojë me kujdes nëse vërtetë e ka të mundur ta pranojë Serbinë në radhët e saj, pa e detyruar atë të krijojë distancën ushtarake me Rusinë dhe Bjellorusinë. Vlerat agresive kundër vendeve fqinje, që janë në themel të kësaj aleance, janë në kundërshtim me vlerat e paqes dhe sigurisë në Evropë që synon BE dhe NATO.
  3. Kosova duhet të regjistrojë faktin se strategjia serbe e veprimit ka zbritur në terrenin diplomatik. Po investon dhe po noton në mes të Lindjes dhe Perëndimit, duke luajtur herë me kartën e paqes dhe herë atë të kërcënimit. Në Mitrovicë u dëshmua se qëllimi i Vuçiqit nuk dallon nga ai i Millosheviqit. Vetëm format e veprimit kanë ndryshuar. Ai nuk është njeri i paqes, por dëshiron të përfitojë nga paqja, e cila u është imponuar serbëve pas agresionit kundër vendeve fqinje. Në përputhje me këtë fakt, politika jonë e jashtme duhet të ndërtojë strategjinë e veprimit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës bëri disa rekomandime për bizneset, në mënyrë…