Londra nis gjyqin ndaj Sali Berishës, shqyrtohet kërkesa kundër shpalljes ‘non grata’

19 mars 2024 | 19:57

Në Angli ka nisur punën Komisioni Special i Apelimit të Emigracionit, që do të shqyrtojë apelimin e Sali Berishës ndaj vendimit të vitit 2022 të Home Office që e shpalli atë “non-grata”.

Ky është aplimi i parë publik dhe i njohur i këtij lloji. Berisha kundërshton vendimin e Priti Pattel, në atë kohë sekretare e Home Office që shpalli non grata liderin e opozitës së një vendi mik. Berisha pohon se akuzat për lidhje me krimin dhe për korrupsion, të cituara në dosjen që është shpallur non grata janë të pavërteta.

Berisha pretendon në padinë e ngritur në Britaninë e Madhe, se Edi Rama kishte dijeni paraprakisht për urdhrin e përjashtimit dhe madje e kishte shpallur atë në Kuvendin e Shqipërisë, edhe para se ai vetë të ishte njoftuar për vendimin e Sekretarit të Brendshëm.

Ekipi ligjor i Berishës përbëhet nga avokatët Fergus Randolph dhe zyra e këshillimit igjor, ‘Zaiëalla and Co’. Seancat dëgjimore me argumentet pro dhe kundër vendimit të Home Office pritet të zgjasin deri të premten.
Sali Berisha u shpall fillimisht non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për përfshirje në korrupsion madhor dhe ndërhyrje në sistemin e drejtësisë. Pak muaj më vonë të njëjtën gjë bëri edhe Britania e Madhe, por duke cituar edhe lidhje me krimin.

Ekipi mbrojtës i Berishës në Londër pretendon se vendimi i shpalljes së tij non grata është bazuar te artikuj të mediave dhe akuzave të kundërshtarëve të tij politikë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj,…