G7 diskuton financimin e Ukrainës dhe garantimin e mbështetjes për vitet e ardhshme
Diplomatët më të lartë të G7-së kanë theksuar nevojën për të siguruar ndihmë financiare afatgjatë për Ukrainën, ndërsa aleatët e Kievit kanë kërkuar mënyra për të mbuluar buxhetin e saj përtej vitit 2026, raporton AFP-ja.
“Ne e pranuam nevojën për t’iu përgjigjur nevojave urgjente të financimit të Ukrainës për vitin 2027 dhe më tej në një mënyrë të koordinuar”, është thënë në një deklaratë të përbashkët të lëshuar nga ministrat e jashtëm të Kanadasë, Gjermanisë, Francës, Italisë, Japonisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, pas një takimi të mbajtur të hënën dhe të martën në Paris.
“Ne përsëritëm se negociatat mbi sigurinë e ardhshme në Evropë duhet të përfshijnë evropianët”, është shtuar në deklaratë, ndërsa bisedimet e ndërmjetësuara nga SHBA-ja midis Rusisë dhe Ukrainës janë zhvilluar në Abu Dhabi.



