Irani nuk lëshon pe për uraniumin e pasuruar – as për një marrëveshje me SHBA-në

11 nëntor 2026 | 13:50

Sekretari i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit (SNSC) përsëriti qëndrimin e Teheranit se nuk do ta transferojë uraniumin e pasuruar në ndonjë vend tjetër, edhe nëse arrin marrëveshje të paqes me Shtetet e Bashkuara.

Në një intervistë për televizionin libanez, Al Mayadeen, Mohsen Rezaei tha se Irani “nuk do të nxjerrë jashtë vendit as edhe një atom të materialit të pasuruar bërthamor ”.

Ai theksoi se Teherani e ka njoftuar edhe Moskën për këtë vendim, raporton REL.

Rusia është përmendur shpesh si një destinacion i mundshëm për rezervat iraniane të uraniumit të pasuruar.

Pjesë nga intervista e Rezaeit u publikuan më 11 nëntor, përpara transmetimit të bisedës së plotë gjatë ditës.

Përpara sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit në qershor të vitit 2025, të cilat kishin në shënjestër tri objekte kryesore bërthamore, Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) vlerësonte se Irani zotëronte 440.9 kilogramë uranium të pasuruar në nivelin 60 për qind.

Inspektorët nuk kanë arritur të verifikojnë se sa nga ky uranium u ka mbijetuar sulmeve dhe ku ruhet aktualisht.

Uraniumi i pasuruar mund të përdoret për prodhimin e energjisë bërthamore, por në nivele shumë të larta pasurimi mund të shërbejë edhe për prodhimin e armëve bërthamore.

Pasurimi në nivelin 60 për qind është shumë mbi nivelin që nevojitet për centralet bërthamore dhe jo larg nivelit prej rreth 90 për qind që përdoret për armë bërthamore.

Objektet bërthamore në Iran u goditën nga sulmet ajrore edhe pas shpërthimit të konfliktit të ri më 28 shkurt, i cili ende nuk ka marrë fund.

Rezaei, i cili u emërua sekretar i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare në gusht dhe është përfaqësues i udhëheqësit suprem të Iranit, Mojtaba Khamenei, në këtë këshill, u takua javën e kaluar në Kremlin me presidentin rus, Vladimir Putin.

Deklaratat e tij vijnë mes raportimeve për një takim të mundshëm me nënpresidentin amerikan, JD Vance, për të negociuar një marrëveshje që do t’i jepte fund luftës kundër Iranit, tashmë në muajin e nëntë, dhe do të mundësonte rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një rrugë kyç për transportin botëror të naftës.

Megjithatë, Rezaei mohoi se po zhvillohen bisedime mes Iranit dhe SHBA-së.

Në intervistën për Al Mayadeen, ai i cilësoi si “gënjeshtra të pastra” raportimet për një takim të fundit mes palëve në Katar.

Sipas tij, këto raportime synojnë të ulin çmimet e naftës, të cilat janë rritur në mbarë botën, për shkak të pasigurisë që lufta ka shkaktuar në Lindjen e Mesme.

Marrëdhëniet mes Iranit dhe SHBA-së mbeten të tensionuara.

Asnjëra palë nuk i është rikthyer luftës në shkallë të gjerë, por nuk ka pasur as ndonjë përparim të rëndësishëm drejt një marrëveshjeje të qëndrueshme paqeje.

Edhe pse luftimet intensive kryesisht janë ndalur, janë disa çështje që vazhdojnë të pengojnë arritjen e një marrëveshjeje – mes tyre: programi bërthamor i Iranit, bllokada që marina amerikane u ka vendosur porteve iraniane dhe pengesat për kalimin e anijeve nëpër Ngushticën e Hormuzit.

Më 9 nëntor, presidenti amerikan, Donald Trump, mbrojti luftën kundër Iranit, por tha se ajo “praktikisht ka përfunduar” në aspektin ushtarak.

Deklarata e tij la të kuptohet se Shtëpia e Bardhë ka hequr dorë nga kërcënimet e fundit për rifillimin e sulmeve ajrore.
Megjithatë, SHBA-ja pritet të vazhdojë presionin ekonomik dhe ushtarak ndaj Iranit, sipas sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio.

“Presioni ekonomik ndaj Iranit është aq shkatërrues, saqë, për momentin, nuk ka nevojë për operacione të mëdha ushtarake”, tha Rubio më 10 nëntor, pas takimit të ministrave të Jashtëm të grupit të vendeve më të industrializuara, G7, në Paris.

Irani nuk pranon ta rihapë Ngushticën e Hormuzit, pa marrë lëshime të mëdha në këmbim.

Ai kërkon lehtësimin e sanksioneve, qasje në fondet e tij të ngrira jashtë vendit, heqjen e bllokadës amerikane ndaj porteve iraniane dhe ndalimin e luftimeve në rajon, veçanërisht në Liban.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Ish-lideri i Aleancës, tani deputeti i kësaj partie, Ramush Haradinaj,…