LULE MARSI NË VJESHTË

23 shtator 2021 | 12:27

Nga: Isuf Sherifi

Po këpute një lule,
ke tharë një kopsht,
ke mbytur qindra bletë,
ke vrarë njerëzimin

1.
Kur perandorët krijuan arenat për përleshje, ata paraprakisht i kishin mbushur burgjet me kundërshtarë të tyre. Mund të hamendësohet se në ç`rrethana lindi idea e ndërtimit të tyre, edhe pse?! Në fillim si një vend ku do t`i ngjante teatrit të hapur.
Me kohë, pos efektit tubues dhe komunikues përmes arenës, nuk është e vështirë të supozohet se ç`drejtim do të merrte e gjitha kjo: duhej sa më shumë shikues, dhe jo vetëm adhurues të perandorit, por edhe kundërshtarë të tij, ku adhuruesit e kundërshtarëve do të mund të shihnin heronjtë e tyre duke hequr shpirtë. Kjo, më shumë si dekurajim, dhe, mundësisht, poshtërim të tyre. Jo gjithëherë, por në efekt të fundit, kurrnjëherë, perandoritë pushtuese nuk mbijetojnë. Ata vdesin nga terri që ata mbjellin!

2.
E nisa këtë rrëfim me lule, bletë dhe glladiatorë, kontraste që vetëm në raste të veçanta, shkojnë përshtati njëri tjetrit, dhe si të tilla mund të qëndrojnë bashkë. E, ky krahasim, kapë dhe prekë, zbërdhen dhe shpërfaq, botën dhe jetën e Beqir Limanit.

Botën njerëzore dhe jetën luftarake.
Jetën njerëzore dhe botën luftarake.
Luftën me jetën për mbijetesë dhe liri kombëtare.
Botën shqiptare që duhej ndryshuar, sepse si e tillë, nuk bartej mbi supe.
Ajo kullonte gjak. Ajo ishte rënduar.
Duhej çliruar nga plumbat në trup.
Duhej çliruar nga thikat në gjuhë.
Duhej çliruar nga vargonjtë në duar dhe këmbë.
Duhej transformuar në përparim kombëtar.

3.
Jeta e heroit Beqir Limani e tëra ishte kryengritje për t`i thyer kokën perandorëve pushtues, që i mbanin të fshehura prapa helmetave të tyre dhe për t`i zbrapsur armët nga duart e varrmihësve të kohës.
Nuk ishte ndryshe nga jeta e luftëtarëve pellazgo – ilir, në perballje me helmeta romake e bizantine.
Nuk ishte ndryshe nga jeta e luftëtarëve të kryengirtjes së shpirtit shqiptar, në përballje me shpata osmane.
Nuk ishte ndryshe nga jeta e luftëtarëve të rilindjes kombëtare në perballje me thika e shpata sllave e otomane.
Nuk ishte ndryshe nga jeta e luftëtarëve të lirisë në përballje me helmeta naziste dhe fashiste.
Nuk ishte ndryshe nga ajo e heronjve të kohës, kundër pushtuesve e falsifikatorëve romak.
Nuk ishte ndryshe nga ajo e heronjve të kohës, kundër pushtuesve e falsifikatorëve bizantin.
Nuk ishte ndryshe nga ajo e heronjve të kohës, kundër pushtuesve e falsifikatorëve sllav.
Nuk ishte ndryshe nga ajo e heronjve të kohës, kundër pushtuesve e falsifikatorëve osman.
Nuk ishte ndryshe nga ajo e heronjve të kohës, kundër pushtuesve e falsifikatorëve „grek“.

Kjo mendje kryengritëse, e mbushur me dije; kjo dije, e mbëltuar me edukatë njerëzore dhe atdhetare; kjo edukatë njerëzore dhe atdhetare e dinte saktë se kah shpie rruga drejt së ardhmes pa robëri, e dinte saktë se, po asaj rruge, një ditë do të mund të ndodhte që dora e kostarit barbar, mund ta kapte.

4.
Tek po afronte vjeshta e vitit 1998, sekuenca të marsit të Jasharajve do të ngjiteshin në Uskanën e vjetër, dhe do të depërtonin furrishëm në shtëpinë e Beqir Limanit.

Fronte me përmasa të ndryshme, por në konstante kishin të njëjtënpamje. Forca e perandorëve pushtues të kohës, do të ndeshet me forcën e luftëtarëve të kohës. Si në të parën, ashtu edhe në të dytën, e njëjta kosë barabare do të binte mbi kopshtin e luleve të lirisë, të mbëltuar nga dëshira për jetë, nga libra dhe synime për përparim njerëzor.

5.
Beqir Limani është njeriu që bëri të pamundurën për lirinë dhe përparimin kombëtar. Familja Limani poashtu!
Beqir Limani, në shpjegimin figurativ më modest të mundshëm, mbetet njeriu që rilindi kopshtin, lulet dhe bletët shqiptare në Uskanën e vjetër shqiptare!Kjo rilindje kishte të shtrirë hojet e veta gjithandej Atdheut.

Na takon neve të përkujdesemi që ky kopsht të rritet, që këto luledhe bletë të shtohen.
Kështu kemi mbrojtur, kemi rritur, kemi zgjuar dhe zgjeruar botën e mirë shqiptare.

Ta mbajmë të gjallë, ta forcojmë, të mos dynden kosat vrastare mbi të.

Beqir Limani me punën dhe sakrificën e tij, duke pasur për bashkëluftëtarë, në rradhë të parë familjen e tij, dhe dhjetëra e qindra bashkëkombas të tjerë, thënë figurativisht, u bë glladiatori i parë modern i Uskanës së vjetër, kundrejt perandorëve modern të kohës me shpirt satani.

Beqir Limani i takon kombit dhe atdheut, sikur drita e diellit njerëzimit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Chloe Chem u shndërrua në hitin e internetit në vitin…