LV-ja dhe alternativat e saj pas fitores në zgjedhjet e 14 shkurtit

28 shkurt 2021 | 16:03

Shkruan: Milazim Krasniqi

Fitorja dërrmuese e ka vu Lëvizjen Vetëvendosje në sfida dhe potencialisht edhe në vështirësi të reja.
1. Tash LV-ja nuk ka pas kujt të fshehët, kur do t’i duhet të shmang presionet dhe kompromiset e ndryshme. (Fjala vjen, qeveria Mustafa, për mosmiratimin e demarkacionit me Malin e Zi, fshihej pas protestave të LV-së dhe aleatëve të saj!) Tash përgjegjësia e LV-ës është e plotë. Presioni i Erdoganit në njërën anë dhe i Netanjahut në tjetrën, për selinë e ambasadës në Jerusalem, është vetëm fillimi i një procesi të rëndë në të cilin do të gjendet LV-ja dhe lideri i saj.
2. Meqë është adresë e vetme, LV-ja do të jetë nën presion të koncentruar për arritjen e një marrëveshjeje dosido me Serbinë, brenda dy viteve të ardhshme. Rreziku është që marrëveshja të bëhet edhe më e keqe, si presion hakmarrës mbi LV-ja dhe Kurtin personalisht. Pra, rreziku është që në pakon e presioneve mbi LV-në e Kurtin, mund ta dëmtohet Kosova, deri në kufijtë e shndërrimit të saj në shtet disfunksional, ndër të tjera, për ta dëmtuar LV-në dhe Kurtin.
3. Nëse Edi Rama rikonfirmohet kryeministër edhe në zgjedhjet e 25 prillit 2021, mund të hyjmë në një proces të gjatë rivalitetesh ndërmjet Ramës e Kurtit, që në instancë të fundit do t’i dëmtojë raportet ndërmjet Shqipërisë e Kosovës.
4. LV-ja dhe Kurti kanë shprehur tendenca që të prishin ekuidistancën politike të Kosovës me Maqedoninë e Veriut, gjë që mund të jetë problem shtesë i Kosovës në raport me ShBA e NATO-n. LV-ja e Kurti kanë kohë ta korrigjojnë këtë qasje. Nëse nuk e korrigjojnë, mund të ballafaqohen me inskenime problemesh serioze brenda Kosovës, që të mos u bie ndërmend për ndërhyrje në fqinjësi. (Ashtu funksionojnë të mëdhenjtë, ata që bëjnë ligjin në rajonin tonë.)
5. Forcimi i ekstremizmit fetar të grupeve të infiltruara në LV, mund të ndodhë nën velin e triumfalizmit politik. Nëse lejohet ai zhvillim, ka rrezik që Serbia mund të marrë autorizime joformale për disiplinimin e Kosovës dhe të Kurtit. Disiplinimi në atë rast nuk bëhet vetëm me presionet dhe diversionet e Listës Serbe, po edhe me presione të tjera direkte të shtetit serb, në drejtim të stabilitetit të Kosovës.
6. Cila është zgjidhja? Zgjidhja është rugovizimi i Kurtit. Pra, shndërrimi i Kurtit në një partner të besueshëm të ShBA-së e NATO-s për politikat e brendshme dhe në faktor stabiliteti në rajon. Kosova nuk ka mundësi ta mbajë mbi supet e veta gjithë atë bagazh militantizmi, të cilin e kanë lansuar ndër vite LV-ja dhe Kurti, deri sa ishin në opozitë. Tash kanë përgjegjësi të plotë për çdo fjalë e për çdo veprim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj,…