LV-ja për ndërtimet në Badoc: MMPH-ja dhe Komuna e Prishtinës kanë shkelur ligjin

21 janar 2020 | 12:31

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë ka mbajtur një konferencë për medie në lidhje me projektet e ndërtimit në liqenin e Badocit.

Zyrtarët e Vetëvendosje kanë kundërshtuar vendimin që të ketë ndërtime në zonën e liqenit të Badovcit.
Ata kanë thënë që Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor kanë shkelur ligjin me të dy këmbët.

Deputetja Fitore Pacolli, ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit të marrë masa për këto ndërtime, pasi sipas saj kjo është vepër penale e parashikuar me Kodin Penal.

“Komuna dhe Ministria e kanë shkelur ligjin. Këto dy institucione dhe autoritetet e tyre që kanë lejuar e nënshkruar vendime të tilla kanë cenuar ujërat e Republikës së Kosovës. Kjo është vepër penale e parashikuar me kodin penal dhe këtu Prokuroria e Shtetit duhet të veprojë menjëherë”, ka thënë Pacolli.

Pacolli në detaje ka paraqitur të gjeturat e LV-së, në lidhje me këtë ndërtimet në këtë zonë, prej nga furnizohet me ujë kryeqyteti.

“Duke lëshuar vendimin i cili i jep kushtet e ndërtimit për investitorët në bregun e liqenit të Badocit, Komuna e Prishtinës së bashku me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) kanë shkelur legjislacionin në fuqi dhe vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Sipas analizave ligjore, Komuna e Prishtinës i ka dhënë kushtet ndërtimore në kundërshtim me ligjin, sepse ajo nuk i ka shteruar të gjitha mjetet e mundshme ndaj vendimit obligues të MMPH-së”.

“Komuna është dashur që së bashku me padinë (në rast se e ka parashtruar) të paraqesë në gjykatë edhe kërkesën për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të MMPH sipas nenit 22 paragrafi 2 dhe 6 të Ligjit për Konfliktet Administrative Nr. 03/L-202, meqë dihet se ekzekutimi i një vendimi të tillë dhe lejimi i ndërtimit të shtëpive buzë liqenit paraqet rrezik serioz për ujin e liqenit dhe veçanërisht për ujërat nëntokësorë përreth tij, përderisa ato përdoren për ujë të pijshëm nga KRU Prishtina”.

“Kështu, Komuna e ka shkelur ligjin duke shkaktuar një precedent të rrezikshëm që në të ardhmen mund të cenojë më tutje ujin e pijshëm në Prishtinë dhe gjithë Kosovën. Edhe pse komuna po justifikohet se vendimin për caktimin e kushteve ndërtimore e ka lëshuar si pasojë e obligimit nga MMPH-së, konsiderojmë se ajo ka përgjegjësi dhe nuk është dashur t’i caktojë kushtet ndërtimore. Komuna (drejtoria përkatëse) ka vepruar tërësisht në kundërshtim me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr.16/127 të datës 24.04.2013 ku janë caktuar zonat e mbrojtura dhe masat mbrojtëse të Liqenit të Badocit. Ne ia përkujtojmë Komunës dhe Ministrisë, se Vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës është marrë në përputhje të plotë me ‘Ligjin për Ujërat të Kosovës’ dhe Udhëzimin administrativ për kriteret për përcaktimin e zonave të mbrojtura ujore dhe masat e tyre mbrojtëse për burimet e ujërave që përdorën për pije”.

“Meqë një vendim i tillë ekziston, i cili qartazi përcakton distancën në të cilën nuk duhet të ndërmerren veprime të cilat e rrezikojnë cilësinë e ujit në Liqenin e Badocit, Komuna nuk është dashur assesi të marrë vendim për caktimin e kushteve ndërtimore edhe pse për një gjë të tillë ‘e ka obliguar’ MMPH-ja, meqë ka vepruar në kundërshtim me një akt juridik i cili ka peshë më të madhe në raport me vendimin e Ministrisë dhe në raport me çfarëdo plani të Komunës”, ka thënë Pacolli.

Më tutje, Pacolli ka dhënë edhe rekomandimet se çfarë duhet të bëhet në këtë drejtim.

“Komunën e Prishtinës që menjëherë ta tërheqë vendimin për kushtet ndërtimore; të parashtrojë padi ndaj MMPH-së për vendime jo-ligjore të cilat e cenojnë mjedisin e Kosovës. Vendimi A-67/19 nga MMPH që obligon komunën të lëshojë kushtet ndërtimore, është kërkesë për shkelje të ligjit të cilin tashmë zyrtarët e Komunës e kanë aplikuar; MMPH që menjëherë t’i tërheqë vendimet kundërligjore; MMPH dhe Komuna të japin përgjegjësi për vendimet e tyre dhe MMPH dhe Komuna të ndalojnë menjëherë të gjitha projektet ndërtimore në zonën ku rrezikohen ujërat e Liqenit të Badocit”, është shprehur Pacolli. /EO/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokurori i Shtetit ka njoftuar se gjatë 24 orëve të…