LVV: 50 të reja e të rinj i bashkohen Lëvizjes në Prishtinë

07 dhjetor 2018 | 21:11

Lëvizja Vetëvendosje!, njofton se sot në kuadër të muajit të anëtarësimeve, kryetari i Lëvizjes Albin Kurti bashkë me asambleistin Egzon Azemi pritën në takim 50 të reja e të rinj që iu bashkuan Lëvizjes.

Takimin e hapi Azemi i cili tha që Lëvizja gjithmonë ka qenë, është dhe mbetet vendi ku të rinjtë përveçse japin kontributin e shprehin idetë e tyre, kërkesat e rinisë përfaqësohen e mbrohen nga Lëvizja me gjithë instancat e saj. “Të rinjtë e bashkuar e të organizuar, janë motori i çdo ndryshimi. Rinia nuk mund të jetë vetëm e ardhmja, siç duan të na thonë këta që po na e vjedhin e tjetërsojnë të tashmen. Rinia është e tashmja e vendit tonë. E tashmja e cila kërkon arsim më të mirë, vende pune e perspëktivë për një jetë të dinjitetshme”, ka deklaruar Azemi.

Kryetari Albin Kurti u shprehi mirëseardhje në Lëvizjen tonë të pranishmëve duke treguar se pikërisht angazhimi i të rinjve ka qenë pikënisje e shumë ndryshimeve shoqërore e politike në historinë e popullit tonë. Kurti tha se Kosova ka nevojë që të rinjve t’i krijohet hapësira për studim e punë, e këto dyja nuk mund të mos lidhen njëra me tjetrën.

“Ne kemi nevojë që ta lidhim arsimin me ekonominë, në mënyrë që të rinjtë tanë jo vetëm të shkollohen, por edhe të orientohet shkollimi kah zhvillimi ekonomik që duhet ta ketë vendi ynë. Të rinjtë më shumë se kurrë kanë nevojë për punësim të qëndrueshëm e për shkollim cilësor. Asnjë nga këto nuk mund të bëhet me këtë qeveri”, deklaroi Kurti.

Kurti ka thënë se angazhimi i të rinjve në Lëvizje përveçse në lagjet ku jetojnë do të jetë edhe profesional në varësi të shkollimit e përgatitjes që ka secili.

Takimi, siç njofton komunikata e LVV-së, u përmbyll me zotimin për angazhim edhe më të madh të secilit dhe njëkohësisht me ftesën për t’iu bashkuar Lëvizjes.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në vitin 2009 Kosova dhe Shqipëria patën filluar të punojnë…