Maasi thotë se Evropa nuk ishte e përgatitur mirë për koronavirusin
Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, ka thënë se duhet pranuar se Evropa nuk ishte “e përgatitur mirë” për pandeminë e koronavirusit.
Në deklaratën e lëshuar për të shënuar Ditën e Evropës, Maasi ka thënë se fillimisht, shumica e shteteve, përfshirë edhe Gjermaninë, u fokusuan që ta luftojnë pandeminë vetëm në shtetet e tyre.
Ndërsa ka mbrojtur përgjigjen që shteti i tij ka bërë kundër koronavirusit, duke thënë se ishte e domosdoshme që fillimisht Gjermania të mbronte veten dhe më pas të ndihmonte të tjerët.
Më tutje, ministri Maas ka thënë se Bashkimi Evropian, pas shpërthimit të krizës, është përmirësuar.
Maasi ka thënë se solidariteti i shprehur nga vendet anëtare të BE-së “është unik në botë”, duke shtuar se Gjermania dëshiron që blloku evropian të jetë më i fuqishëm kur pandemia të ketë kaluar.
Gjermania merr presidencën e BE-së më 1 korrik.



