Maduro akuzon SHBA-në se po fabrikon krizën

27 shkurt 2019 | 11:48

Presidenti venezuelian Nicolas Maduro ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se po përpiqen të krijojnë një krizë, me qëllimin për të filluar një luftë në rajon.

“Po përpiqen të fabrikojnë një krizë për të justifikuar përshkallëzimin politik dhe ndërhyrjen ushtarake në Venezuelë për të sjellë luftë në Amerikën e Jugut”, ka thënë Maduro në një intervistë me kanalin ABC News, në pallatin presidencial në Karakas.

Të hënën, Nënpresidenti amerikan Mike Pence ka njoftuar se 56 milionë dollarë ndihma të reja humanitare për popullin venezuelian, ndërsa takohej në Kolumbi me udhëheqësin e opozitës Juan Guaido dhe përfaqësues të tjerë të vendeve të Grupit Lima, një organizatë ndërqeveritare që po përpiqet të ofrojë zgjidhje për krizën venezueliane.

Nënpresidenti Pence njoftoi sanksione ndaj katër guvernatorëve venezuelianë që mbështesin Maduron dhe tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara do të imponojnë “sanksione më të forta” për rrjetet “financiare të korruptuara” të qeverisë Maduro.

Maduro e përshkroi takimin në Bogota si pjesë e një përpjekje të vazhdueshme për të krijuar “një qeveri paralele në Venezuelë”, në mënyrë që Shtetet e Bashkuara të kenë qasje tek rezervat e mëdha të naftës së atij vendi.

Maduro shtoi se “qeveria ekstremiste e Ku Klux Klanit që drejton Donald Trump dëshiron luftë për naftën, dhe jo vetëm”./voa/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Motori fluturues është zyrtarisht në shitje: quhet Hoverbike S3, arrin…