Mali i Zi dhe Serbia zotohen për marrëdhënie më të mira

29 qershor 2022 | 15:24

Kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiq, ka thënë se shpreson që vendi i saj të rivendosë marrëdhënie më të mira me Malin e Zi.

Bërnabiq i ka bërë komentet pas takimit me kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq në Beograd.

“Kjo vizitë është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne”, ka thënë Bërnabiq.

Ajo ka thënë se ka pasur bisedime “të mira, konkrete, dhe pragmatike” me Abazoviqin, dhe se kanë identifikuar disa çështje që mund t’i zgjidhin.

Si një prej tyre, ajo përmendi çështjen e transaksioneve të drejtpërdrejta, e cila, siç tha, mund të fillojë të zgjidhet menjëherë.

Sipas saj, bisedimet kanë prekur edhe çështjen e ushqimit, energjisë dhe lidhjeve infrastrukturore.

“Derisa ne kemi ushqim, partnerët dhe miqtë tanë në rajon do të kenë ushqim, e Serbia ka ushqim të mjaftueshëm”, ka thënë Bërnabiq.

Ajo po ashtu ka thënë se ka ftuar Abazoviqin që Mali i Zi t’i bashkohet nismës “Ballkani i Hapur”.

“Një gjë e tillë do të nënkuptonte një rajon shumë më të lidhur, siguri më të madhe, një shtysë më të madhe për ekonominë dhe besueshmëri për investime të huaja”, ka thënë kryeministrja serbe.

Nisma rajonale “Ballkani i hapur” është krijuar nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Ajo parasheh qarkullim më të lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, por pjesë e saj nuk janë ende tri vende tjera të Ballkanit Perëndimor: Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina.

“Ne jemi sot këtu për të kthyer një faqe të re, dhe për të ngritur marrëdhëniet mes dy vendeve në nivelin më të lartë të mundshëm. Ju të ne mund të gjeni një mik të madh”, ka thënë kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

Abazoviqi ka shfaqur besimin se nuk ka asnjë çështje të pazgjidhshme nëse ka vullnet të mirë.

“Dhe më besoni, ndjej se këtu ka vullnet të mirë”, ka thënë ai.

Pas takimit me Bërnabiqin, Abazoviq u prit në drekë pune nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

“Jemi pajtuar që të vazhdojmë të ndërtojmë marrëdhënie më të mira”, ka thënë Vuçiq në llogarinë e vet në “Instagram”.

Marrëdhëniet mes dy vendeve kanë pësuar rënie të mprehtë, pasi Mali i Zi ka shpallur pavarësinë në vitin 2006, duke u ndarë nga unioni me Serbinë.

Autoritetet malazeze kanë akuzuar shpesh Beogradin zyrtar për mbështetje të opozitës pro-serbe dhe pro-ruse në Mal të Zi, si dhe për mbështetjen e disa protestave në vitin 2020 kundër një ligji për liritë fetare.

Këto protesta janë organizuar nga Kisha Ortodokse Serbe./REL/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agim Vinca «Udhëtimi në Frashër është jo vetëm një leksion…