Maliqi: Qeveria mund të funksionojë edhe pa Listën Serbe

01 prill 12:50

Analisti politik Shkëlzen Maliqi ka thënë se pas skandalit të deportimit të shtetasve turq nga Kosova, krerët më të lartë të shtetit do të duhej të jepnin dorëheqje.

“Është skandaloze kur tre personalitetet më të larta në hierarkinë e pushtetit deklarojnë se ‘nuk e kanë ditur se çfarë ka ndodhur!’ Nuk do të duhej assesi të ndodhë një gjë e tillë dhe, vetëm për këtë, nëse kanë fare ndërgjegje e përgjegjësi politike, do të duhej të jepnin dorëheqje, sepse nuk ua arsyeton asgjë mosinformimi, mosdija”, ka deklaruar Maliqi në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”.

Sipas tij, kidnapimi dhe dorëzimi i gjashtë shtetasve turq nuk parashihet në ligjet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare për ekstradim.

Ndërsa duke folur për largimin e Listës Serbe nga Qeveria, Maliqi ka thënë se një gjë e tillë ka qenë e pritshme. Megjithatë, ai ka theksuar se Qeveria Haradinaj mund të mbetet në pushtet si Qeveri pakicë, por duke kërkuar përkrahjen e dhjetë deputetëve për çdo vendim apo miratim të ligjit.

“Pa Listën Serbe Qeveria është gjithsesi në hall edhe më të madh se çfarë ka qenë, por nuk do të thotë se do të rrëzohet menjëherë”, është shprehur ai. Maliqi ka bërë me dije se serbët do të insistojnë që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe të ketë kompetenca ekzekutive, por ai ka thënë se për këtë nuk do të pajtohen kosovarët dhe faktori ndërkombëtar.

“Epoka e re”: Z. Maliqi, zhvillimet e fundit në veri kanë lëkundur koalicionin qeverisës, meqë Lista Serbe ka marrë vendim për t’u larguar nga Qeveria e Kosovës. Cili është komenti juaj për këtë çështje?
Maliqi: Është një obstruksion që është pritur sepse nuk ka pajtueshmëri pothuajse aspak rreth asnjë çështjeje vitale në mes të Listës Serbe dhe pjesës tjetër të Qeverisë Haradinaj. Lista Serbe e ka luajtur rolin kyç në shtator të vitit të kaluar kur ia siguroi Haradinajt shumicën minimale për krijimin e Qeverisë dhe është dashur të pritet që kjo ‘idilë’ artificiale nuk do të zgjasë shumë. Një shërbim i fundit nga Lista Serbe i ka ardhur Qeverisë edhe në votimin e demarkacionit, edhe pse serbët në këtë listë bojkotuan votimin, por pjesë e kësaj liste është edhe Adem Hoxha nga komuniteti goran, i cili ishte për ratifikimin e demarkacionit.

“Epoka e re”: Si do të mund të funksionojë Qeveria Haradinaj pa Listën Serbe, duke pasur parasysh se tani nuk e ka as shumicën e thjeshtë në Kuvend?
Maliqi: Pa Listën Serbe Qeveria është gjithsesi në hall edhe më të madh se çfarë ka qenë, por nuk do të thotë se do të rrëzohet menjëherë. Ajo bie vetëm nëse opozita në Kuvend parashtron mocion mosbesimi për të cilin mbledh 61 vota, gjë që nuk është e sigurt se mund të ndodhë së shpejti. Të gjitha partitë politike i kanë dyshimet e veta për zgjedhjet dhe maten që ta provojnë forcën. Në ndërkohë Qeveria mund të vazhdojë të mbetet në pushtet si e ashtuquajtur Qeveri pakicë, duke synuar që për çdo vendim ose aprovim ligji në Kuvend, të kërkojë përkrahjen e 10 apo më shumë deputetëve që nuk janë të koalicionit qeverisës. Ky nuk është mision i pamundur. Në disa vende të rajonit edhe në botë ka pasur raste kur Qeveria pakicë e ka mbajtur pushtetin një mandat të plotë. Mundësia tjetër është krijimi i një shumice qeveritare me subjekte të tjera politike që jo domosdoshmërisht do të drejtohej nga Haradinaj si kryeministër. P. sh., kemi dëgjuar zërat nga LDK-ja, se i ka 27 deputetë që do të hynin në Qeveri, por tash kuptohet se LDK-ja është bërë subjekti më i madh politik në vend dhe për këtë do ta kërkonte postin e kryeministrit. Për më shumë ka edhe kombinime me subjekte të tjera në koalicion, si dhe gjithnjë mbetet edhe suksesi i mocionit të mosbesimit, pas të cilit nuk do të ketë opsion tjetër pos që të shkohet në zgjedhje të parakohshme.

“Epoka e re”: Pas krijimit të këtyre rrethanave, si duhet të veprojnë partitë shqiptare?
Maliqi: Secila parti i ka llogaritë e veta, vetëm tani kanë ndodhur disa procese të papritura, sikur që ka qenë ndarja e Lëvizjes Vetëvendosje, që i bëjnë të komplikuara llogaritjet fitimtare. Nëse Vetëvendosja do të mbetej e bashkuar, besoj se do të mund të llogariste një përparim edhe më të madh duke u shndërruar në parti lidere që i kalon 40 për qind të përkrahjes së elektoratit, një fenomen ky i papërsëritur që nga koha kur LDK-në e udhëhiqte Ibrahim Rugova. Megjithatë, Vetëvendosja mu nga fakti se triumfi i dukej i kapshëm para sysh i ndodhi një verbërim dhe konflikt naiv ambiciesh personale dhe grupore, që subjektin e parë të zgjedhjeve të qershorit 2017 e bëri të dytin dhe të katërtin në listë. Partitë politike duhet të bëjnë analiza të elektoratit dhe sondazhe të disponimeve dhe t’i përshtatin programet dhe premtimet me pritje të votuesve.

“Epoka e re”: A mund të pritet ngritja e ndonjë mocioni për rrëzimin e Qeverisë?
Maliqi: Është e mundshme gjithsesi, dhe mund të rrëzohet Qeveria. Por, shtrohet pyetja, çka pas?

“Epoka e re”: Si e shihni iniciativën e Listës Serbe që njëanshëm ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe?
Maliqi: Ajo njëherë u ngut dhe tha se asociacioni do të themelohet të nesërmen e ditës kur reagoi ndaj arrestimit të Marko Gjuriqit, pastaj u tërhoq pjesërisht, mbase pas intervenimit të Vuçiqit, e ka afatizuar këtë veprim për 20 prill, duke i lënë kështu hapësirë edhe Qeverisë së Kosovës për ta përgatitur variantin e vet të Asociacionit, ku nuk parashihen kompetencat ekzekutive. Ndërkaq serbët do të insistojnë në këto kompetenca ekzekutive, për çfarë vështirë se mund të gjejnë pajtueshmëri jo vetëm te kosovarët, por edhe te faktorët ndërkombëtarë.

“Epoka e re”: Z. Maliqi, pas deportimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova, kryeministri i vendit ka shkarkuar shefin e AKI-së, Driton Gashi dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj. Si i komentoni këto zhvillime për të cilat drejtuesit e shtetit kanë thënë se nuk kanë qenë të njoftuar?
Maliqi: Është skandaloze kur tri personalitetet më të larta në hierarkinë e pushtetit deklarojnë se ‘nuk e kanë ditur se çfarë ka ndodhur!’ Nuk do të duhej assesi të ndodhte një gjë e tillë, dhe vetëm për këtë, nëse kanë fare ndërgjegje e përgjegjësi politike, do të duhej të jepnin dorëheqje, sepse nuk ua arsyeton asgjë mosinformimi, mosdija. Por, nëse do të veçoja një pistë të veprimit autonom të përgjegjësve të drejtpërdrejtë, që janë shefi i AKI-së dhe ministri i rendit e që, ndoshta, është e vërtetë se nuk i kanë informuar kryeministrin dhe presidentin për aksionin e deportimit, më duhet ta shtroj tezën se pas këtij skandali mund të qëndrojë zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli, i cili, në emisionin e debatit të ‘TV Dukagjinit’ në natën e 29 marsit, jepte argumente për arsyeshmërinë e deportimit, duke pohuar se shefi i AKI-së dhe ministri i rendit në raste si ky nuk kanë obligim ta njoftojnë askënd, as presidentin e as kryeministrin, sepse bëhet fjalë për një operacion të rrezikshmërisë së lartë për shtetin. Një budallaki e pashoqe kjo nga Pacolli sepse bëhej fjalë për pesë pedagogë dhe administratorë shkolle me leje qëndrimi në Kosovë si dhe një mjek që, edhe nëse kanë paraqitur rrezik, nuk kanë qenë rrezik për Kosovën, por për Erdoganin, i cili edhe e ka kërkuar ekstradimin. E për ekstradim ligjet tona dhe ndërkombëtare nuk parashohin kidnapime dhe dorëzime të tilla me aeroplanë specialë të inteligjencës turke. Mendoj se ky skandal kërkon, para së gjithash, përgjegjësinë e Pacollit, sepse edhe burimet turke, duke lavdëruar operacionin, theksojnë se kanë bashkëpunuar me Ministrinë e Jashtme të Kosovës.

Shqipe HETEMI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Modeluesja e njohur Angela Martini së fundi duket se ka…