Maliqi: Të huajt shpresuan se Kurti do të bëhej pragmatik në pushtet dhe se Osmani do t’ia frenonte ambiciet radikale

01 prill 2024 | 14:31

Publicisti shqiptar, Shkëlzen Maliqi thotë se Lëvizja Vetëvendosje erdhi në pushtet me një “koalicion populist”, kumbarët e së cilit sipas tij ishin edhe diplomatët perëndimorë.

Maliqi thotë se ndërkombëtarët besonin se Vjosa Osmani do të bënte më shumë sesa Isa Mustafa për t’i frenuar “ambiciet radikale të Albin Kurtit për të nisur një revolucion institucional në Kosovë”. Kësisoj, ata sipas Maliqit prisnin që Kurti do të zbutej për t’u koordinuar me ShBA-në dhe BE-në.

“Qeveria aktuale është një koalicion hibrid i Lëvizjes Vetëvendosje populiste ‘të majtë’ të Albin Kurtit me gjysmën renegate të votuesve të Lidhjes Demokratike të Kosovës me orientim djathtas, populist, që, kryesisht për ambiciet personale, u devijua në bashkëpunim me Kurtin nga presidentja aktuale e Kosovës, Vjosa Osmani. Kumbarët e këtij koalicioni populist dukej se ishin edhe diplomatët perëndimorë, sepse mendonin se Osmani do të bënte më mirë se ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa për t’i frenuar ambiciet radikale të Albin Kurtit për ta nisur një revolucion institucional në Kosovë (përmbysja e procesit të privatizimit, hetimi i manjatëve ekonomikë që grabitën pronën publike, lufta kundër korrupsionit dhe krimit…) me shpresën se si kryeministër do të bëhet pragmatik dhe do të zbutet në drejtim të koordinimit strategjik me SHBA-në dhe BE-në”, ka thënë ai në një intervistë për mediumin serb, “Radar”.

Maliqi ka thënë se Kurti dhe Osmani “nuk kishin struktura të personelit profesional me përvojë dhe të trajnuar, as një vizion të qartë se si duhet të drejtohej vendi”.

Ai ka theksuar se “politika e tyre ekonomike është shumë konfuze”, dhe se ata “nuk i kuptonin fare prioritetet gjeostrategjike të Perëndimit në Ballkan dhe pse ishte e rëndësishme që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të përmbyllet sa më shpejt”.

Kur e kishte fituar pushtetin, sipas Maliqit, kryeministri Kurti “mendoi se e kishte fituar pushtetin sovran” dhe nisi të sillej me agresivitet ndaj ndërkombëtarëve.

“Kurti, i cili më parë donte të vinte në pushtet me revolucion, kur fitoi pushtetin në zgjedhje, mendoi se kishte fituar pushtetin sovran dhe filloi të sillet në mënyrë agresive ndaj ambasadorëve perëndimorë, veçanërisht ndaj amerikanëve, duke penguar të gjitha rekomandimet e tyre, në propozimin e secilit prej tyre kishte idetë e veta të rafinuara, para së gjithash, ai nuk e toleronte faktin që Perëndimi gjithmonë kishte parasysh interesat e Serbisë në dialog dhe në çdo propozim”, ka thënë Maliqi.

Ai ka thënë se Kurti “i dha një mësim, madje edhe sekretarit amerikan të Shtetit, Blinken, se ishte naiv dhe nuk e kuptonte se kush ishte Aleksandër Vuçiq”.

“Kurti më pas vetë, pa konsultim, filloi të merrte masa për disiplinimin e serbëve të Kosovës që të ndërronin targat ilegale, të pranonin dokumentet e Kosovës, hoqi qarkullimin e dinarëve etj., për çka Amerika kërkoi që kjo të bëhej në koordinim dhe gradualisht”, ka thënë Maliqi.

Për këtë arsye, Maliqi ka thënë se Kurti beson se ka fituar popullaritet në masë, sepse “ai e portretizon guximin e tij si vendosmëri dhe guxim që u mungonte liderëve të mëparshëm të Kosovës që e trajtonin Perëndimin me përulësi”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Menaxhmenti i ri i ndërmarrjes “Trepçës” ka marr detyrën gjatë…