Maliqi: Bosht i konfliktit janë Kurti – Ahmeti

15 dhjetor 11:32

Analisti politik Shkëlzen Maliqi ka treguar arsyet që kanë çuar në shpërfaqjen e problemeve në Lëvizjen Vetëvendosje.

Ai ka thënë se boshti i konfliktit në këtë parti është rivaliteti në mes të Albin Kurtit dhe Shpend Ahmetit. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Maliqi ka vlerësuar se tani përplasjet në këtë subjekt politik po shfaqen si konflikt në mes të Kurtit dhe Molliqajt për shkak të frikës së përçarjes së Lëvizjes Vetëvendosje.

“Sipas meje, nuk janë boshte të konfliktit Kurti – Molliqaj, por Kurti – Ahmeti. Por, për momentin ajo po shfaqet si konflikt me Molliqajn sepse as ithtarët e Kurtit nuk duan çarjen e menjëhershme të partisë. Madje sulmi ndaj Molliqajt i militantëve pro Albinit tashti ka lëvizur drejt Visar Ymerit, i cili është pengesë tjetër për ambicien e Albinit, ose të Albinistëve sepse ai nga burgu shtëpiak ende nuk është deklaruar për krizën dhe, me gjasë, është duke analizuar pasojat e çarjes, duke kërkuar që kriza të përfundojë me disa koka të turkut, ndërkaq që ai të arrijë në kompromis, sado të brishtë me Shpend Ahmetin. Për momentin nuk mund të them se a mund të arrihet ky kompromis”, ka thënë Maliqi.

Ai ka shprehur septicizëm se një kompromis i tillë në mes të Kurtit dhe Ahmetit mund të arrihet. Sipas Maliqit, nëse nuk arrihet kompromisi i madh në mes të Kurtit dhe Ahmetit, përçarja e Lëvizjes Vetëvendosje është e pashmangshme. “Nëse dështon kompromisi i madh, çarja është praktikisht e pashmangshme. Të dy krahët do të dërrmohen por, me gjasë, do të kemi një situatë ku edhe Albini edhe Shpendi do të garojnë mes vete për atë ‘shtesën’ e elektoratit që e ka fituar LV-ja në zgjedhjet e qershorit”, është shprehur ai.

Në këtë intervistë Maliqi ka folur edhe për arsyet e tjera që i kanë sjellë zhvillimet e fundit në këtë lëvizje. Nja ndër to, sipas tij, ka qenë lënia anas e Albin Kurtit, i cili para tre vjetësh ka lëshuar postin e kryetarit të LV-së, por nuk kishte hequr dorë nga ambicia që të mbetet autoriteti kryesor dhe i pakontestueshëm në çdo vendimmarrje. “Prej kohësh kjo ka shkaktuar pakënaqësi, tensione dhe çrregullime të brendshme sepse instancat e partisë nuk mund të trajtohen dhe dirigjohen si kukulla. Kapislla tjetër ka qenë ngritja e yllit të Shpend Ahmetit dhe Dardan Sejdiut në kryeqytetin e Kosovës, që në shumë aspekte nuk ishte pushtet tipik i pritur nga LV-ja, por një alternativë me përkrahje me të gjerë siç e ka pasur LV-ja, edhe vetë Albin Kurti”, është shprehur Maliqi.

“Epoka e re”: Z. Maliqi, nga e premtja e kaluar janë shpërfaqur disa probleme të brendshme në Lëvizjen Vetëvendosje. Çfarë po ndodh në këtë subjekt politik?
Maliqi: Lëvizja Vetëvendosje ka ardhur në pikën kur nuk ka mundur t’i kontrollojë kundërthëniet e brendshme pasi që është bërë partia më e madhe në Kosovë, por me një strukturë të amalgamuar, jo të shkrirë, të ideologjive dhe programeve që nuk kanë prodhuar një platformë sado edhe kompromise, të përbashkët dhe funksionale. Faktori i dytë ka qenë edhe shpërthimi i ambicieve personale të figurave më të spikatura që, duke e parë se ardhja në pushtet është shumë afër, kanë filluar të rreshtohen për pozita të larta, për të cilat objektivisht ka pasur konkurrencë të fortë mes fraksioneve. Në vetë majën e pushtetit ka qenë prej kohësh e qartë se konkurrentë janë Albin Kurti dhe Shpend Ahmeti, mbase edhe ndonjë tjetër që nuk e ka treguar hapur ambicien, kurse në nivelet e tjera janë shtyrë pjesëtarët e gardës së vjetër, themeluesit dhe të merituarit e LV-së, me “të kooptuarit” dhe “prurjet”, individët që kanë aderuar nga subjektet e tjera politike ose nga shoqëria civile.

“Epoka e re”: Çfarë besoni se mund të ketë ndikuar në shpërfaqjen e këtyre problemeve?
Maliqi: Mendoj se kapislla për shpërthim ka qenë margjinalizimi (pjesërisht edhe vetëmargjinalizmi) i Albin Kurtit, i cili para tre vjetësh e lëshoi postin e kryetarit të LV-së, duke e instaluar në krye Visar Ymerin, por që, në ndërkohë, nuk kishte hequr dorë edhe nga ambicia që të mbetet autoriteti kryesor dhe i pakontestueshëm në çdo vendimmarrje. Prej kohësh kjo ka shkaktuar pakënaqësi, tensione dhe çrregullime të brendshme sepse instancat e partisë nuk mund të trajtohen dhe dirigjohen si kukulla. Kapislla tjetër ka qenë ngritja e yllit të Shpend Ahmetit dhe Dardan Sejdiut në kryeqytetin e Kosovës, që në shumë aspekte nuk ishte pushtet tipik i pritur nga LV-ja, por një alternativë me përkrahje më të gjerë siç e ka pasur LV-ja, edhe vetë Albin Kurti. Ndonëse Ahmeti nuk ka hapur fronte mospajtimesh me Kurtin, ka qenë parullë e përhershme ajo se Prishtinën e ka fituar Shpend Ahmeti, e jo LV-ja apo Albin Kurti. Në zgjedhjet e fundit u tha hapur se në Prishtinë “Shpendi e fitoi betejën pa Albinin!” dhe gjatë fushatës shihej ashiqare se Albini nuk i jepte shumë krah Shpendit. Kurse, vetë shpërthimi ka ndodhur jo në këtë trajektore kryesore, por me një incident të Aida Dërgutit dhe Dardan Molliqajt, si eksponentë të rritjes së vijës pragmatiste ndër aktivistët e LV-së.

“Epoka e re”: Tashmë është bërë me dije se në mbledhjen e fundit të kryesisë së LV-së ish-sekretari i kësaj lëvizje, Dardan Molliqaj, është shprehur kundër kandidimit të Albin Kurtit për kryetar të lëvizjes. Si e keni parë këtë kushtëzim të tij?
Maliqi: Është në vijën që argumentova më lart. Pragmatistët në LV mendojnë se Albini është ende udhëheqës i LV-së radikale që rreth vetës mbledh maksimum 15 % që nuk mjaftojnë që kjo parti e përbërë t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme. Pos kësaj, këtu kanë ndikuar edhe inatet personale të kryeideologut dhe kryeaktivistit, pasi që Albini insistoi që Molliqaj të dorëhiqet nga posti i sekretarit organizativ.

“Epoka e re”: Në bazë të deklarimeve publike të zyrtarëve të LV-së del se tashmë ekzistojnë dy grupe, ai i Kuritit dhe ai i Molliqajt. Cili prej tyre ka të drejtë dhe cili grup është më i fuqishëm brenda lëvizjes?
Maliqi: Sipas meje, bosht i konfliktit nuk janë Kurti – Molliqaj, por Kurti – Ahmeti. Por, për momentin, ajo po shfaqet si konflikt me Molliqajn sepse as ithtarët e Kurtit nuk duan çarjen e menjëhershme të partisë. Madje sulmi ndaj Molliqajt, i militantëve pro Albinit, tashti ka lëvizur drejt Visar Ymerit, i cili është pengesë tjetër për ambicien e Albinit, ose të Albinistëve, sepse ai nga burgu shtëpiak ende nuk është deklaruar për krizën dhe, me gjasë, është duke analizuar pasojat e çarjes, duke kërkuar që kriza të përfundojë me disa koka të turkut, ndërkaq që ai të arrijë në kompromise, sado të brishta me Shpend Ahmetit. Për momentin nuk mund të them se a mund të arrihet ky kompromis.

“Epoka e re”: Nga këto dy grupe mund të ndodhë ndarja e kësaj lëvizje dhe krijimi i një subjekti të ri politik?
Maliqi: Nëse dështon kompromisi i madh, çarja është praktikisht e pashmangshme. Të dy krahët do të dërrmohen por, me gjasë, do të kemi një situatë ku edhe Albini edhe Shpendi do të garojnë mes vete për atë “shtesën” e elektoratit që e ka fituar LV-ja në zgjedhjet e qershorit. Me pushtetin që e ka në Prishtinë, dhe që nuk e ka siguruar vetëm falë Albinit, Shpendi mund të imponohet si një alternativë më liberale dhe joradikale në skenën e lodhur politike të Kosovës. Por, ai sigurisht nuk do të largohet vetë nga formacioni që në qershor doli fitues. Ai do ta formojë partinë e vet nëse përjashtohet nga LV-ja. Për Albinin ky është një rrezik i madh si ai i LDK-së në “kongresin e karrigeve”, pas të cilit e përgjysmoi votën.

 

Muhamet KOCI

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kolegji “Pjetër Budi”, si çdo vit tjetër që ndihmon fëmijët…