Malisheva dhe Rahoveci në terr, kryetari Ekrem Kastrati: Diskriminim dhe poshtërim, kërkojmë një trajtim të drejtë

24 dhjetor 2023 | 18:15

Komuna e Malishevës për të tretin vit me radhë në stinën e dimrit po përballet me reduktime të ashpra të energjisë elektrike.

Dy ditë më parë edhe kryetari i Malishevës, Ekrem Kastrati, ka dalë me një reagim ku ka thënë se komuna e tyre për të tretin vit radhazi në stinën e dimrit po përballet me mungesë të energjisë dhe reduktime të pakotrolluara.

Ai i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti e KEDS, si dhe mekanizmave të tjerë të reagojnë dhe qytetarët e kësaj komune të furnizohen me energjis sikur komunat tjera.

“I bëj thirrje kryeministrit, KEDS-it dhe mekanizmave tjerë të nivelit qendror, që shqetësimin e Komunës së Malishevës për këtë trajtim kaq të pa ndershëm që po u bëhet qytetarëve tanë, që edhe në prag të vitit 2024, vetëm komunën tonë po e lenë në terr, të trajtohet urgjentisht, në mënyrë që Malisheva të furnizohet me energji elektrike, ashtu si çdo komunë e Kosovës.
Kjo qasje e juaja karshi këtij problemi kaq të madh për qytetarët tanë, është hiç më pak se diskriminim e poshtërim, që Malisheva dhe banorët e saj, historikisht nuk i kanë pranuar, madje as nuk i harrojnë lehtë”, thuhej në reagimin e Kastratit bërë dy ditë më parë.

Gazeta Online Reporteri.net ka kontaktuar me kryetarin Ekrem Kastrati, për ta pyetur nëse kanë marrë përgjigje nga Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike rreth problemit që kanë ngritur.

Kastrati ka thënë se përgjigjet që kanë marrë nga KEDS nuk janë aspak shpresdhënëse se situata me energji do të përmirësohet brenda një kohe të shkurtër.

“Përgjigjet nuk janë shpresdhënëse, nuk janë të favorshme për momentin. KEDS më kanë thënë se kërkesat e shfrytëzuesve janë më të mëdha se kapacitetet furnizuesve që merren nga nënstacioni i Rahovecit. Si zgjidhje është parë blerja e një kabllo apo aperature dhe KEDS na ka njoftuar se ajo është blerë në Amerikë dhe ka ardhë më datë 20 dhjetor, por është e pamundshme të montohet brenda një kohe të shpejtë, pasi merr kohë të instalohet nga Rahoveci deri në Malishevë. Kur të fillon instalimi i kësaj kabllo apo aperature duhet të ndalet energjia, p.sh. nga ora 20:00 në mbrëmje deri në 08:00 në mëngjes”, ka thënë Kastrati për Reporteri.net.

Ai ka njoftuar se ka pasur takime para disa muajsh edhe me KOSTT-in, për ndërtimin e nënstacionit në Malishevë, por që nuk ka asgjë konkrete për momentin.

Edhe Rahoveci në terr

Edhe komuna e Rahovecit sot ka reguar duke thënë se po kanë probleme me furnizim të rregullt me energji elektrike.

Komuna e Rahovecit i ka bërë thirrje Kompanisë Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike të jenë më të përgjegjshëm në furnizim me energji elektrike.

“Si pasojë e kësaj, po shkaktohet vështirësi për furnizim me ujë për qytetarët në disa vendbanime. Si rezultat i kësaj, semaforët nuk po funksionojnë në qytet, ku po shkaktohet kaos në komunikacion dhe avari në rrjetin e ndriçimit publik”, thuhet në reagim.

“Tani kanë filluar të vijnë bashkatdhetarët për festat e fundvitit, prandaj i bëjmë thirrje të jenë më të përgjegjshëm, të jenë më të përgjegjshëm në furnizim me energji elektrike”, thuhet në reagim. /Reporteri.net/.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Polonia është në anën e Ukrainës “në këtë luftë titanike”…