Malisheva me 4.3 milionë euro për investime kapitale në vitin 2019

14 gusht 2018 | 13:57

Komuna e Malishevës për vitin 2019 ka një buxhet prej 14.5 milionë euro, ndërsa prej tyre 4.3 milionë euro janë të parapara për investime kapitale. Kështu është thënë në dëgjimin e parë publik, në kuadër të dëgjimeve publike, për hartimin e buxhetit për vitin e ardhshëm.

Dëgjimet publike do të vazhdojnë në ditët në vijim nëpër vendbanime dhe me grupet e interesit.
Të martën është mbajtur dëgjimi i parë, ku kanë marrë pjesë kryetarët e fshatrave të Komunës së Malishevës, ndërsa në këtë takim, kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ka ftuar ata që të vazhdojnë të japin kontributin e tyre në hartimin e buxhetit për vitin e ardhshëm.

“Gjatë gjithë këtyre viteve, investimet i kemi bërë duke u bazuar në kërkesat dhe nevojat e juaja, e po ashtu edhe këtë vit, do t’i orientojmë investimet në këtë formë, duke u bazuar në kërkesat e vendbanimeve”, ka thënë Begaj. Ndërsa drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Valon Mazreku, duke e prezantuar qarkoren e dytë buxhetore, për Kornizën Afatmesme Buxhetore (KAB) 2019-2021, është fokusuar më shumë në ndarjen e buxhetit që i është bërë Komunës së Malishevës për vitin 2019.

Sipas tij buxheti në vitin 2019 do të jetë për 2 për qind më i madh se viti paraprak, ku i tërë buxheti do të jetë 14.5 milionë euro, ndërsa për investime kapitale janë ndarë 4.3 milionë euro.

Në këtë takim është kërkuar nga kryetarët e fshatrave që të jenë aktiv në takimet tjera që do të mbahen nëpër vendbanimet e Komunës së Malishevës.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka mbajtur…