Ministri Bytyqi: Mujë Shala do të mbetet shembull i mirë i një mjeku të përkushtuar

14 gusht 2018 | 13:54

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka mbajtur fjalë rasti në mbledhjen komemorative të organizuar nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” – Fakulteti i Mjekësisë dhe Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës pas ndarjes nga jeta të profesorit Mujë Shala.

Ministri Bytyqi me këtë rast ka folur për jetën dhe veprën e profesor Shalës, i cili përveç intelektual i shquar, gjatë kohës së luftës në Kosovë ishte angazhuar në radhët e UÇK-së, në Spitalin Ushtarak në Zonën Operative të Drenicës, ku edhe ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në mjekimin e ushtarëve të UÇK-së dhe popullatës civile të asaj zone.

Duke folur për veprimtarinë e profesor Shalës, ministri Bytyqi ka pohuar se urtësia, ndershmëria, profesionalizimi, puna dhe kontributi i tij ka mbjellë paharrueshmërinë e tij tek familja, tek ne e për shumë breza të ardhshëm.

“Të gjithë ne që kemi pasur fatin e mirë të njohim profesor Mujën jemi të bekuar dhe ndihemi krenarë që kemi njohur një njeri të mirë, profesionist të shkëlqyer, doktor të shquar, të specializuar në Universitetin e Zagrebit, në një kohë të zymtë për vendin tonë. Profesor Muja tregoi lartësinë e tij intelektuale në përmasa ndërkombëtare. Kontributi shkencor i profesor Mujës në fushën e mjekësisë dhe të pediatrisë në veçanti, kontributi i tij në përgatitjen dhe shkollimin e brezave të rinj, të specialistëve dhe studentëve të kësaj fushe ka vlera të veçanta për vendin tonë”, është shprehur ministri Bytyqi.

Ministri Bytyqi vlerësoi se, profesor Shala është shembull i mirë i një mjeku të përkushtuar, i cili gjatë gjithë veprimtarisë së tij ka punuar për mjekësi më të fortë të vendit tonë, ndërkaq shtoi se emri i tij nuk do të shuhet asnjëherë sepse gjeneratat e ardhshme do të ndjekin hapat që ka hedhur gjatë kontributit të tij me dekada në lëmin e mjekësisë.

Profesor doktor Mujë Shala ka qenë ligjërues i rregullt i Universitetit të Prishtinës në Fakultetin e Mjekësisë në Katedrën e Pediatrisë.

Profesor Shala ka botuar mbi 10 libra profesionalë dhe universitarë dhe mbi 100 punime shkencore në revista të ndryshme ndërkombëtare.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, ka pritur në takim kryetarin…