Maroku kërkon edhe një tjetër befasi në Botëror

14 dhjetor 2022 | 08:00

Futbollistët e Kombëtares së Marokut kanë bërë befasinë më të madhe në Kupën e Botës pasi arritën deri në gjysmëfinale. Rrugës marokenët e mposhtën Spanjën e më pas Portugalinë, por një vlerë e madh e kësaj kombëtare është se ka pranuar vetëm një gol deri tash.

Maroku synon edhe befasinë e radhës ndaj Francës kur përballet sonte nga ora 20:00 në stadiumin “Al Bayt Stadium”. Në anën tjetër, kampionia në fuqi e botës, Franca, synon finalen e dytë radhazi pasi e mposhti në çerekfinale Anglinë me rezultat 2-1. Për Francën shënuan Aurelien Tchouameni dhe Olivier Giroud, derisa për anglezët Harry Kane. Ky i fundit pati mundësi në fund të ndeshjes ta barazonte rezultatin, por dështoi nga penalltia.

Trajneri Didier Deschamps në konferencë për shtyp theksoi se skuadra e tij do ta gjejë një mënyrë për t’i shënuar Marokut që deri tani ka pësuar vetëm një gol. “Si t’i shënojmë Marokut? Do ta gjejmë një mënyrë. E di që ata kanë kapacitetin për t’u mbrojtur mirë dhe ky është një fakt që e kanë provuar në këtë Botëror. Objektivi ynë është t’i vëmë në vështirësi. Sa i takon skuadrës sime, ajo nuk më befason edhe pse për shumë lojtarë është kompeticioni i parë madhor dhe nuk e dija si do të reagonin nga ana emocionale. Ne nuk ndryshojmë nga ndeshja në ndeshje dhe synimi ynë është të jemi për pjesën më të madhe të kohës në zotërim të topit për të qenë të rrezikshëm dhe për të shënuar. Nuk mjafton vetëm kualiteti i futbollistëve dhe nuk ka një recetë për të bërë mrekullitë. Duhet t’i përshtatemi kundërshtarit për të fituar në fund”, u shpreh Deschamps.

Pavarësisht asaj se çka do të ndodhë në këtë ndeshje, Maroku është vendi i parë afrikan që arrin në gjysmëfinale të Kupës së Botës. Trajneri i Marokut, Walid Regragui, ka thënë se ëndërron që ta fitojë kundër Francës. Ai i ka paralajmëruar francezët që të ketë frikë nga përballja me marokenët. “Më pyetën nëse mund ta fitojmë Botërorin, iu përgjigja: Përse jo. Mund të ëndërrojmë, ëndrrat nuk kushtojnë asgjë. Ekipet evropiane janë mësuar të fitojnë Botërore, por ne jemi përballur me ekipe të mëdha, në këto nivele, nuk kemi hasur vështirësi. E sigurt është se çdo skuadër që përballet me ne duhet të ketë frikë”, ka thënë Regragui.

Formacionet e mundshme:

Franca: Lloris; Kounde, Varane, Upamecano, T. Hernandez; Tchouameni, Rabiot; Dembele, Griezmann, Mbappe; Giroud.

Maroku: Bono; Hakimi, El Yamiq, Aguerd, Mazraoui; Ounahi, Amrabat, Amallah; Ziyech, En-Nesyri, Boufal.

/Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
NGA BORIS JOHNSON Mua nuk më intereson sesa shpesh detyrohem…