Marquez bën ligjin edhe në Gjermani

07 korrik 2019 | 15:16

Piloti spanjoll Marc Marquez fitoi sot garën e Çmimit të Madh të Gjermanisë në Moto GP zhvilluar në pistën e Sachsenring, duke korrur suksesin e pestë sezonal (e dhjeta në karrierë në këtë pistë).

Kampioni i botës e nisi garën nga “pole” dhe e përfundoi atë i pari, duke mos e vënë për asnjë moment në diskutim toren. Madje Marquez u shkëput deri në 6 sekonda nga rivalët, duke bërë një garë më vete.

Në vendin e dytë u rendit një tjetër spanjoll, Maverick Vinales me Yamaha, ndërsa i treti u klasikua britaniku Cal Crutchlow me Honda LCR. Gara ishte një formalitet për Marquez, që vetëm në 3-4 xhirot e para hasi disi rezistencë nga rivalët e më pas nisi të shkëputet, duke mbyllur shumë shpejt gjithçka. Beteja më e madhe ishte për një vend në podium, ku dueluan Vinales, Crutchlow e Rins (ky i fundit u rrëzua).

Zhgënjeu sërish Valentino Rossi me Yamaha, që u rendit i teti, 18 sekonda pas Marquez, duke mos dueluar asnjëherë mes më të mirëve. Disi më mirë u paraqit Andrea Dovizioso me Ducati, i pesti, pas shokut të tij të skuadrës Danilo Petrucci (i katërti). Në këtë garë mungoi spanjolli Jorge Lorenzo me Hondën tjetër, i dëmtuar një javë më parë (u zëvendësua nga Bradl, sot i dhjeti). Për sa i përket renditjes së përgjithshme të Moto GP, Marquez shkëputet edhe më shumë nga rivalët, teksa tani ka 58 pikë avantazh ndaj Dovizioso, që ndodhet i dyti./Telesport/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Skënderbeut është në pritje të vendimit të KAS-it…