Marrëveshja për burgjet pritet të finalizohet në maj, Danimarka premton mbështetje për vizat

11 mars 2022 | 12:57

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se qëllimi i marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës për të burgosurit është që të finalizohet sa më shpejt.

Në një konferencë të përbashkët për media me homologun e saj danez, Nick Haekkerup, ajo ka thënë se planifikohet që në muajin që vjen, më së largu në fillim të majit, të finalizohet kjo marrëveshje.

“Qëllimi ynë është që kjo marrëveshje të finalizohet sa më shpejt. Planifikojmë që në fillim të muajit maj, ende nuk është vendosur data se kur do të finalizohet marrëveshja dhe kur do të procedohet në kuvendet e të dyja vendeve. Synimet tona janë që sa më parë kjo marrëveshje të finalizohet. Do të bëhen edhe përmirësime dhe renovime në burgun e Gjilanit, sepse ka nevojë dhe kur kjo qendër të jetë gati do ta njoftojmë Danimarkën dhe pastaj do t’i sjell të burgosurit”, ka thënë Haxhiu.

Ndërsa ministri i Drejtësisë së Danimarkës, Nick Haekkerup, ka bërë me dije se nënshkrimi i parë i marrëveshjes ka ndodhur në dhjetor të vitit të kaluar. “Në dhjetor patëm takime me ministren e Drejtësisë ku nënshkruam letër-qëllimin për ta fuqizuar bashkëpunimin në fushën e të burgosurve. Diskutimi është fokusuar në marrëveshjen e dhënies me qira të burgjeve. Diskutimet kanë qenë të frytshme”, ka thënë Haekkerup, duke shtuar se me një marrëveshje të tillë, shteti i tij do të jetë më i zëshëm në kërkesën që Kosovës t’i jepet liberalizimi i vizave.

“Ne kemi kontaktuar Kosovën sepse kemi raporte të gjata me ta dhe kemi qenë ndër vendet e para që kemi njohur Kosovën. Ndihemi më rahat me Kosovën. Ishte e natyrshme ta fuqizojmë bashkëpunimin tonë. Mendoj që një marrëveshje e tillë do të na mundësoje të jemi më të zëshëm sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën. Është e rëndësishme të shohim zotimin e madh të Kosovës drejt anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Evropian (BE)”, ka thënë ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Piloti rus i Formula 1, Nikita Mazepin, është në listën…