“Masakra e Izbicës është kujtim i pavdekshëm”

28 mars 2023 | 13:40

Në fshatin Izbicë, në lëndinë ku ka ndodhur krimi më barbarë kundër popullatës shqiptare, është mbajtur sot tubimi përkujtimor në nderim të 147 civilëve të vrarë, në 24 vjetorin e masakrës së Izbicës, organizuar nga komuna e Skenderajt.

Kryetari i komunës, Fadil Nura, gjenerali Sami Lushtaku, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, deputetë të Parlamentit të Kosovës, gjeneralë të luftës, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta, familjarë, drejtorë të ekzekutivit, asamblistë dhe qytetarë të shumtë, kanë marrë pjesë në homazhet institucionale te lapidari i ngritur në nderim të viktimave të kësaj masakre.

Kryetari i komunës së Skenderajt, në fjalimin e tij para të pranishmëve, ka thënë se masakra e Izbicës është kujtim i pavdekshëm përveç tjerëve edhe për Çlirimtar Behramin, viktima më e re e kësaj masakre, jeta e të cilit vetëm sa kishte nisur.

“Vetëm pesë javë nga jeta e tij e nisur mes krismave të kësaj ane dhe luftës së pabarabartë mes një populli liridashës dhe një agresori të neveritshëm, Çlirimtari është viktima më e re e Masakrës së Izbicës”, ka thënë kreu i Skenderajt, duke shtuar se pagëzimi i tij është domethënës, për një popull që po vuante shtypjen, vrasjet, barbarizmin dhe çdo veprim tjetër të llahtarshëm.

Nura ka thënë se në këtë përvjetor dhe në çdo shënim tjetër të kujtimit për dëshmorët, martirët dhe civilët e vrarë për lirinë e Kosovës, nuk kemi si të mos jemi të shqetësuar për padrejtësitë që po na shkaktohen. “Sot ka drejtësi selektive. Drejtësi asimetrike. Sot krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po mbahen padrejtësisht në emër të asaj që quhet drejtësi. Sot, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe shokët tjerë të luftës, po vuajnë nga padrejtësitë që bëhen në emër të drejtësisë. Trupi ynë si popull rënkon edhe nga plagët tjera që u shkaktuan nga lufta e Kosovës. Mbi 100 familje të komunës sonë, sot vuajnë mungesën e më të dashurve të tyre, fati i të cilëve sot e 24 vite më parë, nuk është zbardhur”, ka thënë ai.

Ndërkaq, Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së, ka thënë se pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, të vetëdijshëm për fundin që po u vinte, Serbia shtoi intensitetin e fushatës së tyre gjenocidale në Kosovë, përmes dëbimit, vrasjeve e masakrave mbi civilë të pafajshëm. “Gra, fëmijë, burra e pleq vriteshin gjithandej, pa shkak e pa mëshirë. Fatkeqësisht, janë mbi 400 masakra të kryera mbi popullsinë civile shqiptare, për të cilat, fare pak urdhërdhënës dhe ekzekutues kanë dalë para drejtësisë. Prandaj, edhe në këtë përvjetor të dhembjes, njëkohësisht krenarisë tonë kombëtare, thërrasim për drejtësi, të cilën akoma e presin dhe kërkojnë familjarët, shoqëria dhe shteti ynë”, ka thënë Krasniqi.

Në emër të familjeve të dëshmorëve, foli Xhavit Jashari, kryetar i ShFD-së të Kosovës, kurse Xhavit Aliu paraqiti historikun e masakrës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryenegociatori i Kosovës Besnik Bislimi si dhe homologu i tij…