MASHT-i do të vazhdojë mbështetjen për shkollën shqipe në diasporë

06 gusht 2018 | 22:52

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASH), Shyqiri Bytyqi, ka vlerësuar lart punën e bërë nga mësimdhënësit në diasporën shqiptare për mbajtjen gjallë të gjuhës, kulturës dhe historisë së kombit tonë.

Ai, gjatë një takimi sonte me mësimdhënës nga diaspora shqiptare, ka folur për punën që kanë bërë mësimdhënësit shqiptarë në konsolidimin organizativ dhe profesional në punën me nxënës, punë përmes së cilës janë përkujdesur për ruajtjen e gjuhës dhe traditave shqiptare.

Bytyqi ka deklaruar se MASHT-i,  do të vazhdojë mbështetjen për shkollën shqipe në diasporë, të cilat duhet të kenë një organizim më të mirë, në mënyrë që fëmijët e mërgimtarëve të mos e harrojnë gjuhën, kulturën dhe historinë shqiptare. “Vazhdimisht mërgata jonë ka treguar një veçanti karshi vendit tonë dhe ka kontribuar në të gjitha situatat në të cilat jemi kaluar dhe sa herë kemi pasur ditë më të vështira, pasi ju në ditë më të vështira u gjendët pranë vendit tonë dhe tash jemi në rrethana më të favorshme. Kemi vendin tonë dhe funksionojmë si shtet dhe me të drejtë ju bashkatdhetarët ktheni kokën kah ne dhe duhet të kërkoni mbështetjen nga institucionet tona, dhe ne si shtet kemi për obligim që t’ju krijojmë kushte që edhe në diasporë të zhvillohet mësimi, që fëmijët tanë ta kenë të pastër gjuhën shqipe, kulturën dhe historinë tonë”, ka deklaruar ai, raporton “KsP”.

Bytyqi ka thënë se Kosova ka për obligim të përkujdeset për diasporën dhe se MASHT-i është duke luajtur një rol përmes një zyre që artikulon çdo kërkesë që vjen nga diaspora dhe se në këtë drejtim ka pasur hapa pozitiv. “Një ndër hapat më pozitivë së fundit është bashkëpunimi Kosovë- Shqipëri që të dyja shtetet të orientohen drejt ndihmës së shkollave shqipe në diasporë. Kemi arritur disa marrëveshje të rëndësishme, ku ne konsiderojmë se arritja më e madhe është finalizimi i kurikulave të përbashkëta për diasporën dhe financimi i përbashkët i shkollave shqipe në diasporë që akoma ka mbetur në letër, por shpresojmë se kjo marrëveshje e shkruar në letër të zbatohet në praktikë”, është shprehur ai.

Ai kërkoi shtimin e numrit të fëmijëve të organizuar në shkollat shqipe në diasporë, pasi sipas shifrave aktuale gjendja nuk është e kënaqshme, por shfaqi shpresën se takimet më të shpeshta me mësimdhënësit në diasporë do të kenë ndikim pozitiv në këtë drejtim.

Ndërsa, Faruk Nura, zëvendësministër i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, tha se kjo ministri është e hapur dhe bashkëpunuese dhe këtë e tregon më së miri në çdo takim me mësimdhënësit nga diaspora. “Ministria e Diasporës është në krah të juaj dhe do t’ju përkrahë në çdo projekt që ka të bëjë me gjuhën shqipe, e cila në bën krenar në diasporë. Ju garantoj se Ministria e Diasporës do të jetë e hapur për ju 24 orë”, ka deklaruar  ai.

Në këtë ngjarje u bë ndarja e mirënjohjeve për mësimdhënës për punën e bërë gjithandej në gjithë diasporën shqiptare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një numër i madh dasmorëve në qytetin e Elbasanit janë…