MAShT-i fillon ndërtimin e shkollës së re në Gllogjan
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi së bashku me kryetarin e komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, kanë vënë gurthemelin e shkollës fillore “Heronjtë e Dukagjinit” në Gllogjan dhe ka parë nga afër ecurinë e punimeve të objektit përcjellës të shkollës fillore “Isa Boletini” në Isniq.
Ministri Bytyqi me këtë rast ka thënë se duhet kujtuar të kaluarën heroike sa herë që kemi festa dhe përurime, të kaluarën e lavdishme për të cilën dha shumë Gllogjani me rrethinë.
Ai ka thënë se ndjehet i kënaqur që gjendet në mesin e qytetarëve të Gllogjanit, të cilët në ditët më të vështira ishin në gjendje të mbronin gjuhën dhe vendin, ndërkaq foli edhe për rolin patriotik që pati kjo shkollë, sikurse shumë shkolla të tjera, duke shërbyer edhe si bazë e UÇK-së, nga ku mbrohej popullata dhe vendi. “Sot po fillojmë ndërtimin e një shkolle. Uroj të gjithë banorët e kësaj ane, mësimdhënësit dhe nxënësit që ta gëzojnë këtë shkollë, e cila do të jetë sipas standardeve të larta evropiane. Kjo shkollë do të ofrojë mundësi që nxënësit të përfitojnë dituri dhe shkathtësi, sikurse bashkëmoshatarët e tyre të vendeve evropiane”, është shprehur ministri Bytyqi.
Ndër të tjera, ministri Bytyqi ka theksuar se, ajo çfarë mbetet obligim, është angazhimi i gjithëmbarshëm për të përgatitur brezat e rinj, në mënyrë që ata të marrin përgjegjësi për të udhëhequr dhe zhvilluar shtetin.
/Epoka e re/