MAShT-i prezanton raportin vjetor të vlerësimit të planit strategjik për arsim

15 mars 2018 | 11:56

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka bërë prezantimin e raportit vjetor të vlerësimit të Planit Strategjik të Arsimit të Kosovës (PSAK) 2017/2021, me ç’rast u vlerësua se ka pasur ngritje në sektorë të ndryshëm në realizmin e planit, ndërkaq sfidë kryesore në ngecjen e zbatueshmërisë ka qenë mungesa e mjeteve financiare.

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ka theksuar se, shpalosja e këtij raporti nxjerrë në pah të arriturat dhe sfidat në zbatueshmërinë e PSAK 2017/2021, ndërkaq u zotua se MAShT-i do të angazhohet në zbatimin me përpikëri të këtij Plani në vitet e ardhshme.

Bytyqi ka falënderuar GIZ-in dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë për angazhimin e vazhdueshëm që po bën në përkrahjen e realizmit të aktiviteteve të Ministrisë së Arsimit dhe vlerësimin e punës së PSAK.

“PSAK 2017/2021 ka një rëndësi të madhe, sepse është dokument bazik që hapë rrugët drejt reformave të nevojshme të sistemit arsimor në Kosovë. Shfletimi i këtij vlerësimi do të nxjerrë në pah të arriturat dhe sfidat që paraqiten në zbatimin e këtij plani deri në vitin 2021. Një ndër pengesat që ne kemi hasur në raport është mungesa e buxhetit të mjaftueshëm, i cili do të mundësonte që PSAK të zbatohet në tërësi”, ka thënë ministri Bytyqi.

Ministri Bytyqi ka thënë se, gjithëpërfshirja ka shënuar ngritje nga niveli parashkollor deri në nivelin parauniversitar, ndërsa ka shtuar se fuqizimi i rolit të prindërve në procesin e përzgjedhjes së drejtorëve të shkollave do të ndihmonte në menaxhimin e mirë të shkollave.

Ndërsa, përfaqësuesi i GIZ-it në Kosovë, Boris Scharlowski, ka vlerësuar se, PSAK është një dokument i cili jep udhëzime të qarta rreth orientimit se ku duhet vendosur energjinë tonë të përbashkët. “Ky dokument gjeneron një shpresë të re për sistemin arsimor në Kosovë”, ka deklaruar Scharlowski.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) është mbajtur takimi…