“Maskarallëqet e ligjeve bajate”

02 mars 2023 | 09:05

Nga rubrika Shënime dhe dokumente (në frëngjishte në numrin e njëjtë do të marrë, selektivisht disa shënime, komente dhe vëzhgime të shkurtra që, në një mënyrë apo në një tjetër, dëshmojnë se si u orvat Konica të na paraqiste para qarqeve evropiane në një mënyrë të re dhe interesante pragun e qind­vjetëshit XX. Në një shënim me titull “Maskarallëqet e pushtetit turk”, lexojmë këtë. “Ligjet turke janë një tubë budallallëqesh dhe maskara­llëqesh të pakripta. Tekstet më qesharake të Sulltanit shndërrohen në ligje menjëherë. Në këtë mënyrë i është tekur këtij monarku të operave komike që të dek­retojë që në Shqipëri dhe Maqedoni çdo shtetas, i cili me të rënë muzgu e kalon pragun e derës së tij, ka për detyrë nëse s’dëshiron të gjobohet ose të arrestohet të mbajë një fanar në dorë. Deshe të shkosh te dyqani i bakallit në qoshk? Ndize fanarin dhe ec! Deshe të kthehesh në kafene? Ndeze fanarin dhe shko! Deshe të thithësh ajrin e freskët të mbrëmjes? Ndeze fanarin dhe dil. Kështu fanari në Shqipëri dhe Maqedoni është bërë pjesë e veshë­mbathjes, njësoj si këpucët, pantallonat dhe këmisha. Nëse, për fat të keq, harron ta marrësh fanarin me vete, nuk do të dalësh nga hapsania (burgu) pa dhënë bakshish nja pesëdhjetë herë, duke filluar nga qeveritari e duke mbaruar me rojëtarin. Por sikur ta kishe fanarin, ç’thua a do të kishe më mirë? S’po e njifke mirë Turqinë. Dëgjoni një të vërtetë, dëshmitarë të së cilës kemi qenë një mijë herë. Pra me të dalur me fanar, si të kesh bërë disa hapa, një patrulle e natës e përbërë me katër a pesë xhandarësh, ia behin para teje dhe, sa te hapësh dhe mbyllësh sytë, ta shuan fanarin. Po atë çast, shefi i bandës të drejtohet me zë të fortë dhe kërcënues: ‘Pse dole pa fanar të ndezur? – Ama ti me shikime! – Si? A po më sulmon? E dashke belanë? Tash ta kallëzoj qejfin!’ Nëse vazhdon të kundërshtosh, njëri xhandar shtiret si ‘dosti’ yt, të merr përanash, të këshillon t’i japësh komandantit dy dukat një qind qindarkësh për ta pashitur mllefin e tij. E nëse fillon të dridhesh sakaq, ta plaçkisin kuletën, sahatin me qostek dhe kapotën. Tevona i ha edhe dhjetra kamxhikë dhe të kthejnë në shtëpi me fanar të rindezur. Nganjëherë ku të qëllojë ndonjë femër, sidomos e huaj, atëherë atë e çnderojnë në ndonjë qoshk të rrugës një nga një banditët me shirita të Sulltanit. S’është çudi nëse, nëse në sajë të këtyre kaq ‘njerëzore’ të policisë, më të perënduar dielli qyteti, qytezat dhe fshatrat e Turqisë në Evropë, katandisen në heshtje dhe qetësi”.

Marrë nga libri “Me Konicën në Evropë” të Abdullah Karjagdiut

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj,…