Matoshi kërkon përfshirjen e BIK-ut në aksionin ‘Ta pastrojmë Kosovën’

10 shtator 2018 | 15:19

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, është takuar të hënën nga kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava, me ç’rast kanë biseduar për aksionin “Ta pastrojmë Kosovën”, i cili fillon më 15 shtator 2018.

Gjatë këtij takimi, ministri Matoshi ka kërkuar nga Myftiu Tërnava përfshirjen e BIK-ut në aksionin “Ta pastrojmë Kosovën”, me qëllim të përmirësimit të mjedisit për qytetarët e Kosovës. “Pastërtia është gjysma e besimit, andaj duke u nisur nga kjo, sot jam ardhur këtu që të kërkoj nga Bashkësia Islame e Kosovës, të jetë pjesë e aksionit për pastrimin e vendit. Një tjetër synim që kemi dhe që duam mbështetje nga BIK-u, është pastrimi i varrezave. Varrezat meritojnë trajtim më të mirë sepse aty janë njerëzit tanë, andaj është mirë të kemi një ndihmë edhe nga BIK-u”, ka deklaruar Matoshi.

Ai gjatë këtij takimi ka kërkuar nga përfaqësuesit e BIK-ut t’i kushtojnë një ligjëratë të veçantë rëndësisë së pastrimit të mjedisit. “BIK-u është institucion i respektuar, ka 800 xhami dhe në të gjitha xhamitë do të ketë thirrje për pastrim. Ne me BIK-un do të bashkëpunojmë në të gjitha fushat, mirëpo për këtë temë na bashkon pastërtia e vendit tonë”, ka thënë Matoshi.

Ndërsa, kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava, ka falënderuar ministrin Matoshi duke premtuar mbështetje për aksionin “Ta pastrojmë Kosovën”. “Bazuar në fenë tonë, islami kërkon që vendi dhe të gjithë të jemi të pastër. Po që se e përkthejmë pastërtinë në term tjetër, ajo ka kuptimin e jetës. BIK-u në ditën e xhuma në të gjitha xhamitë do të mbajnë ligjërata për ruajtjen e ambientit”, ka thënë myftiu Tërnava.

Ministri Matoshi gjatë takimit me myftiun Tërnava, ka treguar se në kuadër të aksionit për pastrimin e Kosovës, MMPH-ja ka ndarë grant prej 1. 2 milion euro për komunat më të suksesshme në këtë aksion.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Prishtinës ka njoftuar se është duke bërë zëvendësimin…