Mbappe feston fitoren e Francës me fanellën e Hakimit

15 dhjetor 2022 | 00:37

Kylian Mbappe e ka veshur fanellën e Achraf Hakimit për ta festuar triumfin e Francës kundër Marokut dhe kualifikimin në finale të Kampionatit Botëror.

Me golat e Theo Hernandez dhe Randal Kolo Muani, Les Bleus e mposhtën befasinë e këtij turneu për të caktuar një takim me Argjentinën në finalen e të dielës.


Dyshja e Paris Saint-Germainit, Hakimi dhe Mbappe, u vunë përballë në ndeshjen gjysmëfinale, të cilën në fund e fitoi anësori francez.

Kur përfundoi ndeshja, Mbappe e veshi fanellën e bashkëlojtarit të tij te PSG para se t’u bashkëngjitej lojtarëve të Francës për të festuar, ndërsa të njëjtën gjë e bëri edhe Hakimi para se të nisej drejt zhveshtores.

Dyshja po ashtu janë xhiruar në tunel duke qëndruar ulur pranë njëri-tjetrit dhe duke biseduar, teksa u përshëndetën nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Tifozët i kanë admiruar këto gjeste dhe sjelljen e dy futbollistëve të mëdhenj. Në finale, Mbappe do të ketë një tjetër përballje ndaj një tjetër bashkëlojtari te PSG, Lionel Messi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sipërmarrësi Ramiz Kelmendi thotë se për punëtorët është rritur kostoja…