Mbi 29 mijë të vdekur nga tërmeti në Turqi dhe Siri

12 shkurt 2023 | 14:53

Numri i të vdekurve nga tërmeti Turqi-Siri ka shkuar në mbi 29 mijë, ndërsa shpresat për shpëtim po pakësohen.

Trazirat në Turqinë jugore kanë ndërprerë përpjekjet e shpëtimit në disa vende pas tërmetit vdekjeprurës të së hënës, kanë thënë tre grupe shpëtimi.

Numri i të vdekurve në Turqi dhe Siri nga tërmeti ka tejkaluar 28 mijë dhe shpresa për gjetjen e shumë të mbijetuarve po zbehet pavarësisht disa shpëtimeve mrekulli.

Shpëtuesit gjermanë dhe ushtria austriake ndërprenë operacionet e kërkimit të shtunën, duke përmendur përleshjet midis grupeve të paidentifikuara.

Siguria pritet të përkeqësohet pasi furnizimet ushqimore pakësohen, tha një pjesëtar i ekipit të shpëtimit.

Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, ka thënë se do të përdorte fuqitë nga gjendja e jashtëzakonshme për të ndëshkuar këdo që shkel ligjin.

Një zëdhënës i ushtrisë austriake tha herët të shtunën se përleshjet midis grupeve të paidentifikuara në provincën Hatay kishin bërë që dhjetëra persona nga Njësia e Ndihmës ndaj Fatkeqësive të Forcave Austriake të kërkonin strehim në një kamp bazë me organizata të tjera ndërkombëtare.

“Ka një agresion në rritje midis fraksioneve në Turqi”, ka thënë nënkoloneli Pierre Kugelweis në një deklaratë.

“Shanset për të shpëtuar një jetë nuk kanë asnjë lidhje të arsyeshme me rrezikun e sigurisë”, ka thënë ai.

Disa orë pasi Austria ka ndërprerë përpjekjet e saj të shpëtimit, ministria e mbrojtjes e vendit tha se ushtria turke kishte ndërhyrë për të ofruar mbrojtje, duke lejuar rifillimin e operacioneve të shpëtimit.

Dega gjermane e grupit të kërkimit dhe shpëtimit ISAR dhe Agjencia Federale e Gjermanisë për Ndihmën Teknike (TSW) gjithashtu kanë pezulluar operacionet, duke përmendur shqetësimet e sigurisë.

“Ka gjithnjë e më shumë raportime për përleshje midis fraksioneve të ndryshme, gjithashtu janë dëgjuar të shtëna”,ka thënë zëdhënësi i ISAR, Stefan Heine.

Steven Bayer, menaxheri i operacioneve të Isar, ka thënë se ai priste që siguria të përkeqësohej pasi ushqimi, uji dhe shpresa bëhen më të pakta.

“Ne po e shikojmë nga afër situatën e sigurisë ndërsa zhvillohet”, ka thënë ai.

Ekipet gjermane të shpëtimit kanë thënë se do të rifillojnë punën sapo autoritetet turke ta konsiderojnë situatën të sigurt, njofton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Zëvendëspresidenti i Turqisë, Fuat Oktay, ka thënë të shtunën se numri i të vdekurve në Turqi është rritur në 24 617.

Ndërsa presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan nuk ka komentuar mbi trazirat e raportuara në Hatay, ai përsëriti të shtunën se qeveria do të ndërmarrë veprime kundër atyre që janë përfshirë në krimet në rajon.

“Ne kemi shpallur gjendjen e jashtëzakonshme”, ka thënë Erdogan gjatë një vizite në zonën e fatkeqësisë sot. “Do të thotë që tani e tutje personat që janë të përfshirë në grabitje apo rrëmbime duhet ta dinë se dora e fortë e shtetit është mbi kurrizin e tyre”, ka thënë ai.

Media shtetërore kanë raportuar të shtunën se 48 persona ishin arrestuar për grabitje, sipas “AFP”. Media shtetërore turke ka raportuar se janë sekuestruae disa armë, së bashku me para, bizhuteri dhe karta bankare.

Një burrë 26-vjeçar që kërkonte një koleg pune në një ndërtesë të shembur në Antakya i ka thënë “Reuters”-it: “Njerëzit po thyenin xhamat dhe gardhet e dyqaneve dhe makinave”.

Policia turke është raportuar se ka arrestuar 12 persona për ndërtesat e shembura në provincat e Gaziantep dhe Sanliurfa. Ata përfshinin kontraktorë, sipas agjencisë së lajmeve “DHA”.

Pritet gjithashtu të ketë arrestime të tjera pasi Oktay u ka thënë gazetarëve të shtunën vonë se prokurorët lëshuan 113 urdhër-arreste mbi ndërtesat.

Të paktën 6 000 ndërtesa janë shembur në Turqi, duke ngritur pikëpyetje nëse tragjedia në shkallë të gjerë mund të ishte shmangur dhe nëse qeveria e presidentit Rexhep Taip Erdogan mund të kishte bërë më shumë për të shpëtuar jetë.

Me zgjedhjet në prag, e ardhmja e presidentit është në lojë pasi kaloi 20 vjet në pushtet dhe lutjet e tij për unitet kombëtar nuk u morën parasysh.

Erdogan ka pranuar mangësitë në përgjigje, por ai duket se fajëson fatin në një vizitë në një zonë fatkeqësie: “Gjëra të tilla kanë ndodhur gjithmonë. Është pjesë e planit të fatit.”

Shpëtime të mrekullueshme pas 100 orësh nën rrënoja

Midis të shpëtuarve të shtunën ishte një familje prej pesë anëtarësh e nxjerrë nga rrënojat në provincën Gaziantep të Turqisë.

Agjencia e lajmeve “AP” ka raportuar se prindërit, dy vajzat dhe djali janë sjellë  në siguri pas pesë ditësh nën shtëpinë e tyre të shembur, me thirrjet “Zoti është i madh”.

E njëjta media ka raportuar se një vajzë shtatëvjeçare është nxjerrë nga mbeturinat në provincën e Hatay pas pothuajse 132 orësh nën rrënoja.

“BBC” ka publikuar gjithashtu pamjet e shpëtimit të jashtëzakonshëm të dy motrave në Antakya, në jug të Turqisë, nga e mërkura.

Tërmeti është përshkruar si “ngjarja më e keqe në 100 vjet në këtë rajon” nga shefi i ndihmës i Kombeve të Bashkuara, i cili ishte në provincën turke të Kahramanmaras të shtunën.

“Unë mendoj se është fatkeqësia më e keqe natyrore që kam parë ndonjëherë dhe është gjithashtu përgjigja më e jashtëzakonshme ndërkombëtare”, i ka thënë Martin Griffiths, Lyse Doucet të “BBC”-së në Turqi.

“Ne kemi më shumë se njëqind vende që kanë dërguar njerëz këtu, kështu që ka pasur një përgjigje të jashtëzakonshme, por ka nevojë për të”, ka shtuar ai.

Griffiths ka bërë thirrje që politika rajonale të lihet mënjanë përballë katastrofës dhe ka disa shenja që kjo po ndodh.

Kalimi kufitar midis Armenisë dhe Turqisë, të konfliktuar prej kohësh, u rihap të shtunën për herë të parë në 35 vjet për të lejuar ndihmat.

Dhe ka raporte se qeveria siriane ka rënë dakord të lejojë ndihmën e OKB-së në zonat e kontrolluara nga grupet opozitare, me të cilët ata janë përfshirë në një luftë të ashpër civile që nga viti 2011.

Numri i të vdekurve në Siri nga tërmeti tani është në më shumë se 3 500, sipas “AFP”, por shifra të reja nuk janë publikuar që nga e premtja.

Ka pasur kritika se përpjekja ndërkombëtare për të dërguar ndihma në Siri nuk ka qenë mjaft e shpejtë.

Ismail al Abdullah i Forcës së Mbrojtjes Civile Siriane, ose Helmetat e Bardha, që operojnë në zonat e kontrolluara nga rebelët, i ka thënë Quentin Sommerville të “BBC”-së se organizata kishte ndaluar kërkimin për të mbijetuar.

Ai ka thënë se komuniteti ndërkombëtar ka “gjak në duart e tij”. “Ne kishim nevojë për pajisje shpëtimi që nuk erdhën kurrë”, ka thënë ai.

Sivanka Dhanapala, përfaqësuesja siriane e Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët (UNHCR), i ka thënë “AlJazeera” se 5.3 milionë sirianë mund të jenë të pastrehë pas tërmetit.

“Ky është një numër i madh dhe vjen te një popullsi që tashmë po vuan zhvendosje masive”, ka thënë ajo.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjendja e rëndë në Turqi në veçanti në qytetin Antakya…