Mbi trishtimin

18 janar 2022 | 08:44

MICHEL DE MONTAIGNE

  1. Nuk di kurrgjë për këtë ndjenjë. As nuk e dua e as nuk e çmoj, edhe pse njerëzit e kanë bërë zakon si të ishte një hesap i bërë paraprakisht, për t’i dhënë asaj një vend të veçantë në jetën e tyre. Trishtimit ata i mveshin mençurinë, virtytin, ndërgjegjen. Duke qenë stoli e kotë dhe e shëmtuar, italianët, në mënyrë më të matur, me emrin e tij lidhin vetë ligësinë. Sepse është një mënyrë e të qenit gjithmonë i dëmshëm, gjithmonë i çartur. Dhe stoikët, duke e vlerësuar gjithnjë si diçka të ulët dhe të ndyrë, i mbajnë dishepujt e tyre larg kësaj ndjesie.
  2. Por, thuhet se Psameniti, mbret i Egjiptit, duke qenë i mposhtur dhe kapur rob nga Kambisi, mbret i Persisë, dhe duke parë të bijën e burgosur t’i kalonte përpara e veshur si shërbyese, të cilën e çonin për të mbushur ujë, ndërsa miqtë e tij vajtonin e lotonin përbri tij, qëndroi i heshtur, me sytë përtokë. Dhe kur p të birin që po e çonin drejt ekzekutimit, ai bëri të njëjtën gjë. Por, kur pa njërin nga besnikët e tij në mes të robërve, i ra kokës me grushte dhe ofshau me dhimbje të tmerrshme.
  3. Do të mund ta krahasonim këtë me atë çka pamë kohëve të fundit te një nga princat tanë. I ndodhur në Trento (Itali), ai mësoi për vdekjen e vëllait të vogël, mbi supet e të cilit varej ardhmëria e familjes dhe, fill pas tij, i erdhën lajme edhe për vdekjen e një vëllai më të vogël; ai i duroi këto dy sprova me një durim të pashoq por, disa ditë më pas, pasi njëri prej miqve të tij të besuar sapo kishte mbyllur sytë, ai e lëshoi veten nën kthetrat e këtij kobi të fundit dhe, pa asnjë grimë vullneti në shpirt, u tret i tëri në dhimbje dhe trishtim. Kishte njerëz që mendonin se atë e vuri përposh vetëm kjo goditje e beftë e fatit por, në të vërtetë, ai ishte aq shumë i mbushur me pikëllim sa dhe dhimbja më e vogël e radhës do ta shembte më në fund atë mur të trashë të rezistencës së tij.
  4. Kjo histori, sipas meje, është tejet e ngjashme me atë të mëparshmen, përveç një detaji të vogël: kur Kambisi e kish pyetur Psamenitin se përse ai nuk ishte prekur dhe aq për fatin e të bijës dhe të birit, ndërkohë që s’e mbajti më zemra teksa këqyrte atë të miqve të tij, ky i fundit u përgjigj: “Vetëm kjo dhimbja e fundit mund të shfaqet me lot e kujë, dy të parat ishin përtej gjithçkaje që mund të shprehet”.

Lidhur me këtë temë ndoshta s’duhet lënë pa përmendur edhe krijimi i atij piktorit antik i cili, duke dashur të paraqesë në tablo dhimbjen e atyre që morën pjesë në sakrifikimin e Ifigjenisë[1], në varësi të rëndësisë që merrte për secilin prej tyre vdekja e kësaj bukurosheje miturake e pafajshme: pasi i kish shteruar dhe burimet e fundit të artit të vet, dhe gjithë duke dashur të pikturonte dhe babanë e vajzës, ai e shfaqi këtë të fundit me fytyrë të mbuluar – duke dhënë të kuptohej se asnjë shprehje njerëzore nuk ishte në gjendje të paraqiste këtë shkallë të dhimbjes.

  1. Ja përse poetët e imagjinojnë fatkeqen Niobe[2], pasi ka humbur fillimisht shtatë djemtë dhe më pas po aq vajza, aspak në gjendje për të duruar një humbje të tillë e të shndërruar më në fund me një copë shkëmbi, e ngurosur nga dhimbja [Ovidi, Metamorfozat, VI, 304] për të shprehur këtë kob të zymtë, të pagojë e të paveshë që na kaplon, kur gjërat që na ndodhin na rrënojnë përtej asaj që mund të durojmë.
  2. Në të vërtetë, një dhimbje, për të arritur atë pikën e saj kulmore, duhet të pushtojë gjithë shpirtin dhe ta zhveshë atë nga të gjitha liritë e veprimit. Kështu na ndodh kur na vijnë lajme shumë të kobshme, të ndihemi të pushtuar, të parali­zuar, gati të pazotë për lëvizjen më të vogël; dhe shpirti, duke e lëshuar veten në lot dhe ngashërime, duket sikur çlirohet, shkarkohet, sikur çelet dhe vjen në vete:

Dhe në fund dhimbja ia la zërin të dalë

[Virgjili, Eneida, XI, 151]

  1. Gjatë luftës që mbreti Ferdinand bëri kundër vejushës së mbretit Jan të Hungarisë, që të gjithë vunë re, gjatë një përleshjeje të madhe që ndodhi asokohe në Bude, sjelljen veçanërisht të admirueshme të një luftëtari, i cili, edhe pse shumë i lëvduar dhe i vajtuar për rënien dëshmor, mbeti i panjohur nga të gjithë, dhe nga vetë Reishaku, prijësi gjerman, të cilit një guxim i tillë i la mbresa të pashlyeshme. Nga kureshtia, ai iu qas trupit që sapo e kishin sjellë, për të zbuluar se cili ishte dhe, sapo u hoq parzmorja e të vdekurit, njohu të birin. Kjo gjë bëri bujë të madhe në njerëz, por ai, pa thënë asnjë fjalë dhe pa pulitur as sytë, qëndroi në këmbë duke soditur gjithë trishtim atë trim, derisa dhimbja, duke e tejkaluar forcën e tij trupore, e bëri të bjerë shakull në tokë i pajetë.
  2. E kush mund të thotë se afshi e zelli i tij përçohet fare pak [Petrarka, Sonetet, CXXXVII] thonë të dashuruarit që duan të shprehin një sevda të papërballueshme.

Sa fatkeq që jam,

asgjë tek vetja s’më përgjigjet! Që nga çasti që të pashë,

Lezbi, mendja iku e më la,

goja e fjalët po ashtu.

Gjuha më është e pajetë,

një flakë ma përfshiu trupin,

veshët m’i buçiti,

sytë m’i skëterrosi.

[Katuli, LI, 5]

  1. Pra, nuk është në ekzaltimet më të gjalla e më të zjarrta që jemi në gjendjen më të mirë për t’i shprehur shqetësimet dhe bindjen e shëndoshë: në ato çaste, shpirti është i rënduar nga mendime të thella dhe trupi i mposhtur dhe lëngues për pakëz dashuri.
  2. Dhe nga aty ndonjëherë e ka burimin dhe këputja apo zalisja e paparashikuar, e cila zë në befasi të dashuruarit në raste aspak të përshtatshme: ky akull që i pushton për shkak të një afshi shumë të madh, në vetë kulmin e kënaqësisë. Të gjitha pasionet që shijohen dhe vlerësohen lehtësisht nuk janë veçse gjëra mediokre: Brengat e vogla broçkullisin, të mëdhatë heshtin [Seneka, Hipoliti, A II, sc. 3, 607]. Po ashtu, një sihariq i ardhur krejt befas na trondit thellësisht:

Sapo më pa, dhe armët trojane bashkë me mua,

E humbi krejt toruan dhe u vegullua,

pa pikë gjaku, ra e mpakur, më syt’e kapsallitur,

Dhe zëri i erdhi vonë, shumë vonë, krejt papritur.

[Virgjili, Eneida, III, 306]

  1. Paskësh qenë një grua romake, që vdiq nga mallëngjimi i thellë teksa pa djalin t’i kthehej pas disfatës së plotë në Kanë; Sofokliu dhe Denis Tirani, të cilët vdiqën që të dy nga kënaqësia; Talva që vdiq në Korsikë, pasi mësoi për gjithë nderimet që i kishte bërë Senati në Romë. Por edhe në kohën tonë, Papa Leoni X, pasi u njoftua për pushtimin e Milanos, që e kishte dëshiruar prej aq kohësh, përjetoi një të tillë gëzim sa e pushtuan drithërima e ethe dhe vdiq prej tyre. E për të pasur një dëshmi edhe më të shquar të marrëzisë njerëzore, të lashtë kishin parë se Diodor Dialektiku vdiq krejt papritur për shkak të ndjenjës shumë të fortë të turpit sepse, në shkollën e tij dhe mes gjendjes, nuk kishte mundur të hidhte poshtë njëfarë kundërshtimi që i kishin bërë.
  2. Unë nuk para jepem pas këtyre emocionesh të dhun­shme. Kam një natyrë jo fort të ndjeshme dhe e forcoj çdo ditë e më tepër zhguallin tim duke arsyetuar.

 (Marrë nga numri i 13-të i revistës “Akademia”. Përktheu nga frëngjishtja: Verjon Fasho)

[1] Ifigjenia ishte e bija e Agamemnonit, prijësit të madh grek, të cilit nga orakujt iu kërkua që të bënte sakrificën më të çmuar si blatim për perëndinë e erës dhe të detit, që këta të fundit ta ndihmonin për të mbërritur sa më shpejt dhe shëndoshë në brigjet e Trojës bashkë me ushtrinë. Ai urdhëroi sakrifikimin e saj para gjithë flotës, me një qetësi të frikshme. (Shën. i përk.)

[2] Në mitologjinë greke Niobeja ishte e bija e Tantalit dhe nëna e Niobidëve, të cilët iu masakruan njëri pas tjetrit deri tek i fundit. Ajo, nga dhimbja e madhe, u shndërrua në shkëmb. Edhe sot e kësaj ditë ndodhet një shkëmb i quajtur Niobe në malin Sipil (diku në Manisa të Turqisë).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Besnik Tahiri, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, tha se…